
Zgjerimi i Bashkimit Europian pas vetos së Qeverisë franceze është në krye të agjendës së kongresit dy ditor në Partisë Popullore Europiane që po mbahet në Zagreb. Kryeministri kroat, Andrej Plenkovic, tha se vendimi i Brukselit për të mos çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është një gabim i madh. Sipas tij procedurat ekzistuese për t’u bërë anëtarja në shumë të detajuara dhe të ashpra. “Çdo vend ka të drejtë të kërkojë anëtarësimin në Bashkimin Europian”, tha ai.
Në kongres po marrin pjesë krerë shtetesh e qeverish, ndër të cilët kancelarja gjermane Angela Merkel. Pas takimit të zhvilluar me Kryeministrit kroat të mërkurën, Merkel e vuri theksin te nevoja e bisedimeve të gjëra me Francën lidhur me procesin e zgjerimit. “Duhet të ketë ende një perspektivë realiste anëtarësimi për vendet e Ballkanit Perëndimor. Nuk mund të vazhdojmë të thyejmë premtimet tona”, tha Merkel.
Kroacia, e cila iu bashkua unionit në vitin 2013, merr Presidencën e radhës të bllokut në muajin janar. Më herët gjatë kongresit, Partitë Popullore Europiane zgjodhën president të tyre, Donald Tusk, i cili deri tani ka mbajtur postin e Presidentit të Këshillit Europian.
Grupi më i madh politik në Parlamentin Europian aprovoi gjithashtu një draft-rezolutë përmes të cilës fton këshillin dhe shtetet anëtare të marrin sa më shpejt një vendim pozitive për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Draft-rezoluta përmend efektet negative të mungesës së dritës jeshile gjatë Këshillit Europian të tetorit, ndërsa nxit vendet e Ballkanit Perëndimor që të vazhdojnë me reformat e kërkuara. (A2 Televizion)