Ngjitjet me teleferik ofrojnë emocione të mëdha në peizazhet detare. Ato na lejojnë të ngjitemi në lartësi të mëdha pa mundim, të admirojmë peizazhe të mrekullueshme dhe të soditim detin dhe bregdetin nga një këndvështrim vërtet i veçantë.
Mes blusë së detit dhe qiellit, gjelbërimit të maleve dhe me ajrin që gradualisht bëhet më i freskët e tokën që largohet nën këmbët tona, më poshtë ju paraqesim 10 prej teleferikëve më mahnitës në bregdetin e Mesdheut.










MONTE SOLARO, Kapri- Një ngjitje e vetme (përveç radhës në imbarkim), me teleferikun njëvendësh që niset nga Anacapri dhe mbërrin në Monte Solaro (pika më e lartë e ishullit) do të jetë eksperienca më e mahnitshme ndonjëherë.
Pamja do t’u lërë pa frymë pasi ishulli shihet në 360 gradë. Nga bregdeti Correntine deri në gjirin e Napolit dhe me Vezuvin në sfond, kjo është mënyra më e mirë për të admiruar Caprin.
MAZZARÒ-TAORMINA, Siçili - Dy grupe me katër kabina të lidhura me njëra-tjetrën që ngjiten vertikalisht në gjatësi 170.5 metra dhe më pas ndjekin linjën lineare prej 725 metrash. Sistemi lidh qendrën e Taorminës me bregdetin e Jonit dhe plazhet e tij në Mazzarò, përballë gjirit homonim. Mund të transportojë rreth 680 njerëz në orë dhe një teleferik kalon çdo 15 minuta. Kjo është ndoshta mënyra më e rehatshme, si dhe mënyra më origjinale për të shkuar në plazh.
TRAPANI-ERICE, Siçili – Është mënyra më e lehtë dhe më e shpejtë, si dhe më spektakolare, për t'u ngjitur në majën e malit Erice, duke shijuar një panoramë të bukur. 11 minuta udhëtim, një rënie e lirë prej 663 metrash dhe më pas një gjatësi lineare pak më shumë se 3 mijë metra, përbën një “fluturim” mes blusë së detit dhe gjelbërimit të malit, me një pamje panoramike të Trapanit dhe ishujve Egadi. Teleferiku punon deri në orën 1 të mëngjesit.
RAPALLO–MONTALLEGRO, Lixhuria - Një teleferik "historik" dhe spektakolar që ka nisur të funksionojë në vitin 1934 Ai lidh qytetin bregdetar në vetëm shtatë minuta me shenjtëroren e Montallegro që ndodhet në një diferencë lartësie prej rreth 600 metrash. Panorama që mund të shijohet gjatë udhëtimit është befasuese, me pamje nga Gjiri i Tigullio dhe nga deti.
FAITO, CASTELLAMMARE DI STABIA, Kampania - Lidh qytetin Castellammare di Stabia me malin Faito, nga i cili ka marrë emrin teleferiku. I hapur për publikun më 24 gusht 1952, ai u modernizua plotësisht në vitin 1990. Për 8 minuta ai mbulon pothuajse tre kilometra për një diferencë lartësie prej 1060 metrash. Punon në muajt e pranverës dhe verës.
DUBROVNIK, DALMACI, Kroaci - Ky teleferik i qytetit, i ndërtuar në vitin 1969, lidh periferinë me majat e malit Srđ (ose Shën Sergius) në një lartësi prej 405 metrash në vetëm 4 minuta, duke ofruar një panoramë spektakolare të qytetit dhe një këndvështrim të pazakontë nga i cili mund ta admirosh atë. Struktura origjinale u shkatërrua gjatë luftës kroate për pavarësi, por u zëvendësua me një më moderne dhe funksionale.
SANTORINI, CYCLADES, Greqi - Është mënyra më e përshtatshme për të arritur në fshatin Fira nëse shkoni në Santorini nga deti. Alternativa është të ngjiteni në këmbë, ose mbi shpinën e një gomari. Teleferiku u ndërtua nga pronari i anijes Evangelos Nomikos, i cili i vetëdijshëm për këtë vështirësi të madhe si për banorët ashtu edhe për turistët, i dhuroi ishullit këtë zgjidhje praktike dhe novatore në vitin 1979. Teleferiku transporton rreth 1200 njerëz në orë nga deti në fshat dhe anasjelltas, me udhëtimin që zgjat vetëm tre minuta, por panorama është vërtet befasuese.
BENALMADENA, MALAGA, Spanjë - Ai lidh qytetin bregdetar të Benalmadena, pak kilometra nga Malaga, me majën e malit Calamorro, 769 metra mbi nivelin e detit, nga i cili mund të shijoni një pamje të mrekullueshme të Costa del Sol. Kjo pamje në ditë të kthjellta, të lejon të shohësh edhe shkëmbin e Gjibraltarit dhe bregdetin e Marokut. Ngjitja zgjat rreth 15 minuta, ndërsa në majë të malit ka rreth 3 kilometra shtigje ecjeje, njëra prej të cilave të çon në Valle della Aquile.
PORTI I BARCELONA-s, Spanjë- Ky teleferik është gati një milje i gjatë dhe ju çon mbi portin e Barcelonës, nga Port Vell deri në pikën panoramike Miramar në malin Montjuïc. Projektuar në vitin 1929 për Ekspozitën Universale Montjuïc, ai u përfundua vetëm në vitin 1931. Udhëtimi nga Port Vell në Montjuic zgjat 10 minuta dhe kapërcen një lartësi prej 70 metrash.
LIDO DI SPINA, Ferrara – Dhe së fundi, një kuriozitet. Teleferiku i karrigeve nuk ekziston më sot, pasi është zëvendësuar nga një sistem transporti më praktik, por në vitet 1960 lidhte pikën e kampingut në Spina me plazhin për 15 minuta. Ishte pak më shumë se një kilometër i gjatë dhe kishte 10 shtylla mbështetëse, me 127 karrige dyvendëshe me ngjyra. Teleferiku me karrige u çmontua pas gjashtë vjetësh për shkak të problemeve të korrozionit që lidhen me mjedisin detar. (A2 Televizion)