
Ambasadorja amerikane Yuri Kim, me anë të një postimi në Twitter, ka bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë shumë seriozisht luftën kundër korrupsionit, në atë që duket si një tjetër mesazh ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
“Në Uashington po koordinohen hapat e ardhshëm në marrëdhënien SHBA-Shqipëri. Jemi shumë seriozë në lidhje me korrupsionin, ndërkohë që mbështesim një Shqipëri më demokratike, të fortë dhe prosperuese. SHBA ka qenë me Shqipërinë në 30 vitet e fundit, do të jetë edhe në 30 vitet e ardhshme e përtej”, shkruan Kim në rrjetin social.
Ditën e sotme, nga Fieri, Berisha tha: “Ambasadorja deklaroi para disa ditësh se habitet se si njerëzit bëjnë të paditurin. Zonja ambasadore i ka thënë Lulzim Bashës se Berisha e di për dosjet, por nuk i beson ato dosje. DASH ka deklaruar se ka marrë vendimin mbi bazën e raporteve të qeverisë së Edi Ramës. Rama, dy vite me radhë, ka çuar me dhjetra vendime të qeverisë, që i ka kthyer qeveria e tyre si të pabaza. Unë nuk them se nuk ka dosje, por them që është shpifje. Ju them me bindje të gjithëve: unë do të futem në Parlament pa asnjë diskutim”. (A2 Televizion)