
Zbatimi i kontratave dhe rregullat e qarta të pronësisë janë disa prej aspekteve që duhet të garantojnë institucionet shqiptare, në mënyrë që të përmirësohet klima e bizneseve të huaja në Shqipëri. Ky ishte mesazhi i ambasadorit të BE-së në Shqipëri gjatë një takimi me biznesmenë të huaj në Tiranë.
Investitorët e huaj kërkojnë përmirësim të vazhdueshëm të klimës për të zhvilluar bizneset e tyre në Shqipëri, ndaj të gjitha rekomandimet i publikojnë në librin e bardhë. Në ceremoninë e radhës, përfaqësuesit e shoqatës së investitorëve të huaj diskutuan rreth avantazheve dhe pengesave që hasin bizneset e huaja në vendin tonë. Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Sorecca përmendi disa nga aspektet kryesore që duhet të kenë parasysh institucionet shqiptare në mënyrë që të shtohen investimet e huaja në Shqipëri.
Përgjegjësinë kryesore për ta vënë Shqipërinë në rrugën e rritjes së qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse dhe për të rritur standardet e jetesës së popullsisë së saj, e kanë vetë institucionet e vendit. Investimet do të rriten ndjeshëm vetëm nëse kompanitë shohin përmirësime të prekshme në mjedisin e biznesit. Kjo ka të bëjë me zbatimin e drejtë të sundimit të ligjit, garantimin e konkurrencës së lirë dhe të ndershme, bizneset të jenë të mbrojtura nga praktikat korruptive, kontratat të zbatohen në kohën e duhur, të zvogëlohet informaliteti, si dhe të ketë rregulla të qarta të pronësisë.
Soreca shtoi se Bashkimi Europian ka parashikuar paketa me miliarda euro ndihmë për Ballkanin Perëndimor, ku Shqipëria ka pjesën e saj.
Ndërkaq, ministrja e Financave dhe Ekonomisë garantoi mbështetje për investitorët e huaj.
Presidenti i shoqatës së investitorëve të huaj shtoi gjithashtu se Shqipëria duhet të përfundojë reformat për të përmirësuar klimën e biznesit. (A2 Televizion)