
Zhvillimi i mësimit me masat e Ministrisë së Arsimit shumë shpejt do t’i çojë shkollat drejt mbylljes. Specialistë të arsimit deklarojnë se 75% e institucioneve arsimore në rang vendi janë me turne, oraret e planifikuara do të krijojnë përplasje mes klasave, shkollat nuk kanë furnizim pa ndërprerje me ujë dhe as kushtet e nevojshme për respektimin e masave antikoronavirus.
Ish-drejtori i Arsimit Parauniversitar në ministri, Ndriçim Mehmeti thotë se masat duheshin marrë muaj më parë dhe se ministria duhet të shfrytëzonte dhe ambiente të tjera për të mos e zhvilluar mësimin me 4 turne deri në orët e vona të mbrëmjes.
Për Ndriçim Mehmetin, mësuesit aktualë nuk mund të përballojnë ngarkesën mësimore paradite dhe pasdite, apo mësimin e alternuar, në klasë dhe atë “online” në shtëpi. Sipas tij, për të përballuar këtë situatë do të duhen mësues shtesë, ku vetëm në Tiranë e Durrës nevojiten dhe 4 000 arsimtarë.
Shkollat po bëhen gati për fillimin e vitit shkollor në 14 shtator, me klasa të reduktuara, me orë 25 minuta, deri në 4 turne. Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka deklaruar se mësimi do të jetë fakultativ për fëmijët me sëmundje krojnike të cilët janë të rrezikuar nga virusi. Edhe kjo kategori do të jetë në kontakt me mësuesit e tyre. Ndërsa është planifikuar që në klasa të zhvillohen vetëm lëndët kryesore, të tjerat në kushte shtëpie.
Ndërkaq, ditën e parë të shtatorit institucionet arsimore do të publikojnë mënyrën dhe oraret e zhvillimit të mësimit sipas kushteve të çdo shkolle. (A2 Televizion)