
Edhe pse zgjodhi Amerikën për të vijuar karrierën e tij, për Leo Messin ka nisur një luftë e ashpër në Kinë.
Dy nga kompanitë më të mëdha të qumështit të këtij vendi po duelojnë për të marrë të drejtat e imazhit të Argjentinës dhe të yllit kryesor të kësaj kombëtareje. Bëhet fjalë për Yili dhe Mengniu, që kanë nisur investimet të shumta në marketing, duke dashur të bëjnë për vete tifozët e shumtë kinezë të Argjentinës.
Yili përfitoi nga miqësorja e Argjentinës ndaj Australisë, që u luajt më 15 qershor në Pekin, për të zgjatur kontratën me Argjentinën, ndërkohë që nisi fushata intensive në platformat sociale kineze, ku përdoreshin imazhet e lojtarëve argjentinas.
Si kundërpërgjigje, Mengniu vendosi postera promocionalë, ku dukej sikur Messi ishte imazhi zyrtar i kompanisë.
Të dyja këto kompani janë gjigantë të industrisë së qumështit në Kinë, por Yili ka më shumë të ardhura dhe vlerë në merkato sesa Mengniu. (A2 Televizion)