
Sylvinho, trajneri i Kombëtares sonë, në një intervistë për faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit, analizoi dy ndeshjet e fituara me Moldavinë dhe Ishujt Faroe, si dhe garën për kualifikim në “Euro 2024”.
Për teknikun brazilian, impenjimi i treguar nga lojtarët dhe shpirti i garës që ata kanë shfaqur në fushë ka qenë në nivele maksimale: “Mendoj se në dy ndeshjet e fundit kemi bërë një lojë të bukur, ishin dy sfida të ndryshme dhe të vështira. Moldavia është një skuadër e fortë fizikisht, e vendosur mirë në fushë, e përgatitur mirë. Në sulm ka lojtarë të fortë, por unë mendoj se ne e kemi menaxhuar shumë mirë ndeshjen dhe kemi merituar fitoren në të dyja sfidat. Më pas Ishujt Faroe ishte një transfertë shumë e vështirë, që nga udhëtimi, fusha me bar sintetik dhe në goditjet standarde viheshim në vështirësi. Jam i kënaqur nga impenjimi, guximi i futbollistëve, të cilët luftuan në fushë, sepse më pas flitet që kemi luajtur mirë e kemi fituar, por edhe unë shoh shumë detaje të tjera, siç është rikuperimi i topit, shpirtin e garës se futbollistëve dhe zemrën e treguar në fushë mbi të gjitha në shtëpi në një stadium të mbushur me 20 mijë tifozë. Jam shumë i kënaqur në këtë aspekt”.
Në lidhje me dy ndeshjet e shtatorit, ndaj Republikës Çeke në transfertë e më pas me Poloninë në shtëpi, Sylvinho i konsideron si dy nga 5 finalet që i kanë mbetur për të luajtur kuqezinjve: “Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme, ndeshja e parë në Poloni ishte e rëndësishme, dy ndeshjet e qershorit ishin shumë të rëndësishme dhe është e drejtë. Tani ndeshja më e rëndësishme e jona është ajo ndaj Republikës Çeke e më pas kemi Poloninë. Ne kemi për të luajtur 5 finale, duhet të luajmë fort në këto pesë ndeshje dhe të shohim më pas se çfarë do të ndodhë”. (A2 Televizion)