
Presidenti Ilir Meta zgjodhi qytetin e Korçës për të uruar mësuesit në ditën e tyre. Në ceremoninë ku ndau edhe disa medalje vlerësimi për mësuesit, kreu i shtetit apeloi për ruajtjen e gjuhës shqipe nga bastardimi dhe degradimi, në emër të sakrificës së rilindësve, si edhe që fëmijët të edukohen me dashurinë për atdheun, që për kreun e shtetit ky është një mision, jo profesion.
“Të ruajmë gjuhën tonë shqipe nga bastardimi dhe degradimi. Shumë mirë që po mësojnë fëmijët gjuhë të tjera të huaja por mos harrojmë ato sakrifica që janë bërë nga rilindasit për gjuhën dhe të jemi krenarë për gjuhën tonë dhe së fundi çështje e rëndësishme është edukimi patriotik. Nuk është profesion, por është mision, t’i edukojmë fëmijët me dashurinë për atdheun, mund të shkojnë kudo, por atdhe nuk kanë ku të gjejnë, ku balta është më e ëmbël se mjalta”.
Presidenti kërkoi më shumë mbështetje për mësuesit në kohë pandemie dhe më shumë infrastrukturë digjitale për ata në zonat rurale.
“Për mua ishte një detyrim që sot të isha pikërisht këtu, në Korçë, në djepin e rilindjes sonë kombëtare të arsimit dhe kulturës. Ne sot kujtojmë me nderim të jashtëzakonshëm Pandeli Sotirin, Jeronim De Radën, Pashko Vason, Gjergj Fishtën, e shumë personalitete të tjera, që me vizionin e tyre, por dhe sakrificat e tyre, na dhanë gjuhën shqipe dhe arsimin tonë. Jemi sot t’iu shprehim mirënjohjen e thellë të gjithë mësuesve, edukatorëve, që punojnë sot edhe pse në kushte të vështira, për të pasur një të ardhme më të ndritur. Kujtojmë plejadën e mësuesve në pension, që ia kushtuan jetën e tyre të ardhmes së ndritur të brezit të ri. Roli dhe figura e mësuesit janë themelore dhe këtë e them edhe si fëmijë i dy prindërve. Shpreh sot mirënjohjen e thellë për të gjithë mësuesit. Të gjithë mësuesit tanë, sidomos ata në zonat rurale, meritojnë një mbështetje akoma më të madhe, sa i takon infrastrukturës digjitale. Duhet të bëjmë më shumë që rinia jonë, e edukuar më së miri nga mësuesit tanë, ta ndërtojë këtu të ardhmen”. (A2 Televizion)