Meta “harron” opozitën, konsultohet me PS për të caktuar datën e zgjedhjeve

Nga A2 CNN
19 Janar 2022, 19:51 | Politikë
Meta “harron” opozitën, konsultohet me PS për të

Për Presidentin Ilir Meta, mendimi i mazhorancës është më i rëndësishmi për caktimin e një date zgjedhjesh. Në zyrën e tij, Ilir Meta ftoi vetëm Taulant Ballën për konsultime, që i quajti informale, duke ngritur dyshime për një kthim me 180 gradë të kursit politik në raport me shumicën.

Surprizën e datës së zgjedhjeve, Ilir Metës ia prishi Taulant Balla, i vetmi i ftuar në Presidencë për konsultim nga Kreu i Shtetit. 

“Për ne nuk ka asnjë datë. Presidenti mendon që zgjedhjet e pjesshme të zhvillohen në 6 mars”, tha Balla.

Një ftesë të tillë, Ilir Meta nuk ia kishte dërguar opozitarëve, madje as gruas së tij, duke nxitur hamendësime nëse peshorja presidenciale ka nisur të anojë në kampin e mazhorancës. 

Arsyet se përse kishte vendosur t’i bënte dalje opozitës, Kreu i Shtetit doli t’i shpjegonte publikisht jashtë zyrës së tij: “Nuk ishte ndonjë gjë e rëndësishme për të pasur në takim. Kisha dyshime mos bojkotonte shumica. Zoti Taulant është i madhërishëm, është përfaqësues i shumicës, i cakton vendin edhe pakicës”.

Përllogaritja e afateve e mundoi Presidentin me shkresa zyrtare derisa mori konfirmimin me shkrim se sa bashki janë pa kryetar: “1, 2, 3, 4, 5, 6 bashki janë. Nëse del ndonjë tjetër, do e dekretojmë”.

Dashamirësia publike ndërmjet Metës dhe Ballës nuk u prit mirë nga Partia Demokratike. Sekretari i Përgjitshëm, Gazment Bardhi, e cilësoi si një teatër publik i brinjëve të Trekëndëshit të Bermudës. Ndërsa zëdhënësi i Presidentit replikoi duke nënvizuar se Meta takohet me Ballën në publik dhe ditën për diell, ndërsa aludoi se demokratët takohen fshehurazi dhe natën me kryetarin e shumicës në Kuvend. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos