Meta, platformë me 11 pika për integrimin. I është bërë me dije Ramës dhe ndërkombëtarëve

Nga A2 CNN
21 Maj 2020, 11:29 | Politikë
Meta, platformë me 11 pika për integrimin. I është

Në vilën 4 pranë Pallatit të Brigadave, Presidenti Ilir Meta mblodhi për 1 orë e 15 minuta përfaqësuesit e opozitës së bashkuar, e cila, sipas tij, ishte provokuar nga shembja e teatrit.

Pavarësisht kësaj, Presidenti i kërkoi opozitës jashtëparlamentare të rikthehej në tryezën e Reformës Zgjedhore dhe e njohu atë me një platformë konkrete për përparimin e Shqipërisë në rrugën integruese. 

“Presidenti Meta i informoi për përpjekjet dhe propozimin prej Tij të një platforme konkrete gjithëpërfshirëse për integrimin europian. Presidenti Meta theksoi rëndësinë që Opozita e Bashkuar të japë kontributin e saj në Këshillin Politik për të treguar vullnetin për rikthimin e legjitimitetit të të gjithë institucioneve përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme”, lexohet në njoftimin e Presidencës.  

Plaftorma daton në 8 prill dhe burime të A2 thanë se rendit 11 pika që kanë dy shtylla kryesore: drejtësinë dhe integrimin. Presidenti propozon ngritjen e një Këshilli Politik gjithëpërfshirës për integrimin dhe i është bërë me dije faktorit ndërkombëtar dhe kryeministrit.  

Mësohet se përfaqësuesit e opozitës kanë mirëpritur plafotrmën, por kanë kërkuar garanci për zgjedhjet, duke përsëtitur kërkesën për qeveri tranzitore. Zgjedhjet i veçoi edhe kryedemokrati në deklaratën që pasoi takimin: “Gjatë takimit të koalicionit opozitar me Presidentin Meta diskutuam për krizën dhe rrugëdaljen prej saj: shqiptarët do të shpëtojnë kur, të bashkuar kundër së keqes, do t’u drejtohen kutive të votimit me të gjitha garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Menjëherë pas takimit me opozitën, Ilir Meta nxitoi për në Presidencë, ku takoi për 60 minuta ambasadorët e vendeve të BE në Tiranë, ku veçse i ka shpjeguar plaftormën e integrimit, ka vënë theksin te nevoja për të miratuar sa më parë Reformën Zgjedhore: “Presidenti Meta vuri në dukje rëndësinë që ka përfundimi sa më parë i Reformës Zgjedhore në Këshillin Politik dhe miratimi i saj në Parlament, sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR, edhe pse në kushtet e thyerjes së mëtejshme të besimit ndërmjet palëve”.  

Në Presidencë më herët ishte ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, e cila është takuar me këshilltarët e Kreut të Shtetit, të cilët e kanë njohur me argumentat ligjor të Presidentit në betejën për Teatrin Kombëtar.            (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos