
I ashpër ka qenë në fjalimin e tij kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në takimin përmbyllës të fushatës në Tiranës. Duke i quajtur kryebashkiakët “gomerë”, Meta tha se ato të gjithë kontrollohen nga një njeri dhe ai është kryeministri Edi Rama. Kur iu referua si “gomerë” tha se këtë emërtim ua ka vënë vetë Rama dhe ata e kanë pranuar, e pikërisht për këtë thotë se në 14 maj do duhet t'i jepet fund kësaj mënyre të qeverisjes vendore.
“Një person i vetëm kontrollon 60 gomerë, përveç Shkodrës sonë historike. Rama si një kryeministër kriminel, u përpoq të devijonte llogaridhënien në këto 4 vite të 60 gomerëve të tij, siç ai e quan dhe ata e pranojnë, e duke vendosur Billboard me fytyrën e tij të qeshur dhe fytyrën time dhe të doktorit të mërzitur”, tha Meta.
Një falënderim ka pasur për Sali Berishën, që procesin e “Primareve” brenda PD-së e ka konsideruar si historike.
“Kam një falënderim për Berishën, sepse guxoi që të realizonte procesin e primareve, një proces historik, i rrezikshëm, kur e dimë që investimi i Ramës është si të përçajë opozitën. E përqendroi këtë fushatë me emrin e doktorit dhe tim, kjo fushatë përfundon me 3 emra të tjerë me Igli Carën në Durrës, Luçiano Boçi në Elbasan, dhe Belo në Tiranë, në 14 maj do i bëjnë një tre pikësh të paparë Tiranë, Durrës, Elbasan. Sa i takon Ramës e falënderojmë për një shaka. Që ai do fitonte Shkodrën. Do të dhurojmë një palë dylbi në Surrel që të shikosh bashkinë e Tiranës dhe Durrësit. Sa u takon bashkive të tjera, shikoji nga satelitët që ke ngritur në qiell zotëri”, shtoi Meta.
Në 14 maj, tha ai, ka vetëm një mision, për të rikthyer transparencën në drejtimin e Bashkive.
“Të vendosur për transparencën absolute dhe të vendosim kryebashkiakë të zgjedhur nga vota juaj”, përfundoi kryetari i Partisë së Lirisë. (A2 Televizion)