Meta sqaron mungesën në Komisionin e Ligjeve: Nuk mund të anuloja agjendën, qeveria ishte në dijeni

Nga A2 CNN
6 Maj 2021, 20:24 | Politikë

Presidenti Ilir Meta ka sqaruar mungesën e pjesëmarrjes së tij në Komisionin e Ligjeve, pas akuzave se po tenton të nxjerrë jashtë afatit trajtimin e kërkesës. Përmes zëdhënësit të tij, kreu i shtetit publikon komunikimin zyrtar me Ministrinë e Jashtme për takimin e sotëm me ministren austriake znj. Karoline Edtstadler, ndërkohë që një ditë më parë komisioni i i ligjeve e thirri në seancë dëgjimore sot në orën 11:00. Kjo kërkesë e Komisionit u refuzua nga Meta për shkak të agjendës së tij dhe tha se do të ishte i pranishëm më datën 10 maj dhe sipas tij qeveria ishte në dijeni

“Presidenti Meta ka shprehur gatishmërinë e tij për t`u takuar, diskutuar e për t`u shprehur me dhe në Komisionin e Ligjeve, por në datën 10 maj 2021. Kjo edhe për shkak se agjenda e tij për datën 6 maj 2021, ishte e paracaktuar dhe për këtë ka qenë në dijeni edhe Qeveria, siç faktohet nga këto dy dokumente, që provojnë edhe njëherë nivelin banal të akuzave dhe shpifjeve të sotme të deputetëve të Kuvendit njëpartiak, gjoja për shmangien e Presidentit nga ballafaqimi me ta.

Ky komunikim zyrtar mes Institucionit të Presidentit dhe MEPJ, vërteton botërisht jo vetëm se Qeveria, nga i merr urdhrat Kuvendi njëpartiak, ishte në dijeni të agjendës së sotme të kreut të Shtetit, por fakton para të gjithë shqiptarëve edhe banalitetin e pretendimeve të deputetëve në skadim mandati”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë thuhet se presidenti nuk mund të anulonte agjendën e planifikuar, ndërsa akuzon Kuvendin që për hir të partisë Shqipërisë iu shtuan kushtet e integrimit si edhe për prishjen e marrëveshjes së 5 qershorit për kodin zgjedhor.

“Presidenti i Republikës, nuk mund të anulonte apo të shmangte sot agjendën e Tij, të datës 6 maj 2021, ditë kjo në të cilën ishin të planifikuara prej kohësh, realizimi i takimeve me rëndësi edhe për proceset e integrimit të vonuar europian të vendit, siç ishte edhe takimi i mëpasshëm me Presidentin e Sllovenisë, Sh.T.Z Borut Pahor. Blofet e Kuvendit njëpartiak nuk çudisin më askënd, pasi ishte ky Kuvend, që për hir të Partisë i shtoi kushtet e integrimit europian Shqipërisë dhe shkallmoi pabesisht Marrëveshjen ndërpartiake të 5 Qershorit për Kodin Zgjedhor, pasojat e së cilës janë skandaloze me shumëfishim të krimeve zgjedhore”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos