
Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, pritet të vizitojë sot Shkupin, në vazhdën e përpjekjeve për zhbllokimin e negociatave të anëtarësimit. Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut, vizita e zyrtarit të lartë është konfirmuar nga burime të larta diplomatike në Bruksel.
Në fokus të bisedimeve mes Michel dhe liderëve politikë në Shkup, do të jetë propozimi francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Sofjen, dhe rrjedhimisht zhbllokimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Presidenti i Këshillit Europian pritet të shprehë mbështetjen për formulën e propozuar nga Macron, dhe perspektivën europiane të Shkupit. Propozimi i publikuar në faqen e qeverisë në internet, është bërë objekt i konsultimeve të gjëra, ku përfshihen partitë opozitare dhe shoqëria civile, që do të diskutohet edhe në parlament.
Protestat e zhvilluara para godinës së qeverisë, kundër propozimit, përshkallëzuan në dhunë mbrëmjen e së hënës. Disa prej pjesëmarrësve kaluan gardhin mbrojtës para qeverisë dhe godinës së parlamentit, duke u përpjekur të hyjnë atje.
Manifestuesit e mbështetur nga opozita e VMRO-DPMNE qëlluan me vezë, shishe dhe fishekzjarrë, si dhe kërkuan dorëheqjen e qeverisë. (A2 Televizion)