
Me synimin e qartë për të rishfaqur poetin e mjerimit në teatër, por mbi të gjitha letërsinë shqipe, regjisori Çapaliku gërsheton aktrimin, muzikën, kërcimin dhe instalacionet, duke i ringjallur kështu personazhet migjeniane me mesazhe të qarta për aktualitetin e sotëm.
"Të lindet një njeri" për regjisorin është nevoja që shoqëria shqiptare ka për të rinovuar vetveten dhe për të gjetur një shpëtimtar.
“Migjeni është një ripropozim për ta parë në një perspektivë tjetër. Politika e ka përdorur atë si poet revolucionar, si poet i rinise, duke lënë pas karakteristikat e tij si poet dekadent, melankolik, poet i kronikës së zezë të qytetit”, thotë regjisori.
Kasta e aktorëve që luajnë në shfaqje janë të rinj në moshë, jo rastësisht të zgjedhur të tillë pasi edhe poeti i mjerimit ka shkruar në rininë e tij poema dhe vargje që prekin edhe rininë e sotme.
Shfaqja u ngjit në skenë më herët në Tiranë, vijoi rrugëtimin e saj në Pogradec dhe do të përfundojë në Shkodrën e Migjenit dhe regjisorit Çapaliku. (A2 Televizion)