Milani ka marrë fitoren e tretë në po kaq ndeshje në Serie A, duke mposhtur 2-1 Romën e Mourinho-s në "Olimpico".
Kuqezinjtë dominuan totalisht takimin deri në minutën e 61-të, duke realizuar dy gola, fillimisht me Giroud nga pika e penalltisë dhe Leao me nisjen e pjesës së dytë, me një roveshiatë që zuri në befasi të gjithë. Më pas, Tomori e la ekipin me një lojtar më pak pas dy kartonëve të verdhë duke i dhënë Romës më shumë hapësira.
Duke përfituar nga epërsia numerike, Mourinho aktivizoi menjëherë Lukakun e shumëpërfolur në merkaton e verës, i cili në prekjen e parë të topit vuri në alarm mbrojtjen kuqezi, me një goditje që kaloi vetëm pak mbi traversë.
Roma arriti të shënonte vetën në shtesë një gol ngushëllimi, të realizuar nga Spinazzola dhe në fund, Milani mori tri pikët e radhës, duke u ngjitur në krye të Serie A, përkohësisht i vetëm. (A2 Televizion)