
Milani mori një pikë të rëndësishme nga sfida për vendin e katërt kundër Romës, duke ruajtur pozicionin e favorshëm që e lejon të luajë sezonin e ardhshëm në Champions League.
Krzysztof Piatek ishte përsëri protagonist duke shënuar golin që i dha avantazhin kuqezinjve në “Olimpico” në mesin e pjesës së parë, por vetëm një minut pas fillimit të pjesës së dytë të zotët e shtëpisë arritën të barazonin me Nicolo Zaniolo, i cili është në vendin e duhur, në momentin e duhur kur Donnarumma grushton një gjuajtje të Patrik Schick.
Në fakt që në fund të pjesës së parë verdhekuqtë iu afruan golit me Schick dhe Dzekon, por të dyve iu mohua goli nga portieri i Milanit. Dzeko pati një mundësi shumë të mirë për të kaluar të tijtë në epërsi në të 71’, por goditja e tij me kokë u prit përsëri nga Donnarumma. Në të 81’ Roma pati rastin më të mirë kur Lorenzo Pellegrini kërceu mbi të gjithë por gjuajtja e tij me kokë u përplas me shtyllën e djathtë. Nga ana tjetër ishte Cutrone që sapo u fut në lojë në minutat e fundit në vend të Piatek vuri në provë portierin roman Olsen, por ky i fundi arriti të bllokonte gjuajtjen, ndërsa përsëritet edhe në kohën shtesë duke i mohuar golin zëvendësuesit tjetër Laxalt.
Milani ruajti kështu vendin e katërt me 36 pikë, ndërsa Roma e ndjek me vetëm një pikë më pas në vend të pestë. (A2 Televizion)