Sailing Yacht A - Andrei Melnichenko Lena - Gennadiy Timchenko Lady M - Alexei Mordashov Amore Vero - Igor Sechin Axioma - Alexander Mikheev Crescent Valerie - Sergei Chemenov Lady Anastasia - Alexander Mikheev "My Solaris"- Roman Abramovich "Eclipse" - Roman Abramovich "Clio" - Oleg Deripaska "Sea Rhapsody" - Andrei Kostin "Madame Gu" "Graceful" - Vladimir Putin Dilbar - Alisher Usmanov
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, si dhe shumë vende të tjera perëndimore, kanë vendosur një sërë sanksionesh ekonomike ndaj Rusisë, që kur Putini urdhëroi pushtimin e Ukrainës. Për pasojë, edhe shumë oligarkë rusë janë përballur me këto sanksione dhe të tjera masa, si p.sh konfiskimi i superjahteve që ata kanë në zotërim.
Të paktën, tetë superjahte janë sekuestruar deri më tani. Megjithatë, shumica janë ende në lëvizje, duke u ankoruar në vende që aktualisht janë të sigurta nga sanksionet, si ishujt Maldive. Shumë superjahte janë të lidhura me miliarderët rusë, por pronësia e tyre mbetet e fshehtë - jahtet shpesh regjistrohen përmes një sërë kompanish në det të hapur. Ekipi në Lloyd's List analizoi letrat e regjistrimit, e të dhëna të tjera për të përcaktuar se të kujt mund të jetë këto jahte luksoze.
"My Solaris"- Roman Abramovich

Superjahti “My Solaris”, ka kushtuar 600 milionë dollarë. Jahti luksoz zotëron një pishinë dhe një platforma për uljen e helikopterëve. Ai ka një ekuipazh prej 60 vetash dhe mund të strehojë më shumë se 30 të ftuar. Jahti u ankorua në Tivat në Mal të Zi disa ditë pasi Abramovich u sanksionua nga Mbretëria e Bashkuar. Tivati, në gjirin e Kotorrit, është një qendër për superjahte dhe krenohet për marinën e madhe. "My Solaris" u largua nga Tivati dhe po lundronte në brigjet perëndimore greke, kur edhe BE-ja sanksionoi Abramovich, më 15 mars. Pas kësaj date, të dhënat e gjurmimit të jahtit tregojnë se ai ishte duke u larguar nga ujërat territoriale greke dhe lundronte në ujërat ndërkombëtare, ku nuk mund të kapet.
Më 21 mars, jahti mbërriti në Bodrum të Turqisë, por rruga e tij u bllokua nga një gomone e vogël e një ekipi të rinjsh ukrainas që valëvisnin flamujt e tyre. Trajneri i ekipit, Paulo Donstov, tha për BBC se ata ishin atje për të konkurruar në një kampionat lundrimi dhe u informuan për ardhjen e My Solaris. "Ne duam që bota të dijë se Ukraina dëshiron lirinë dhe paqen", tha Donstov.
Turqia është shprehur se "nuk ka ndërmend" t'i bashkohet sanksioneve të BE-së ndaj rusëve dhe ndryshe nga shumica e vendeve evropiane, ajo ende po lejon fluturime direkte nga Rusia. Kapiteni i një anije ruse tha BBC, se zyrtarët turq e kishin bërë të qartë se anijet ruse janë "shumë të mirëpritura dhe do të trajtohen si çdo anije tjetër".
"Eclipse" - Roman Abramovich

Eclipse është një nga superjahtet më të mëdha në botë. Ai ka nëntë kuvertë dhe një nëndetëse për tre persona. Thuhet gjithashtu se ka një sistem të mbrojtjes nga raketat dhe një sistem lazeri për të penguar fotografët të bëjnë fotografi të jahtit. Ai, fillimisht, u ankorua në ishullin e Karaibeve, më pas lundroi drejt lindjes përmes Mesdheut, në veri të Algjerisë.
Më 22 mars, të dhënat treguan se superjahti mbërriti në Marmaris në Turqi. Resorti, një ish-fshat peshkatarësh, është një tjetër destinacion popullor për superjahtet. Aty pranë ka një marinë, një kështjellë osmane dhe më shumë se 50 vende zhytjeje.
"Sea Rhapsody" - Andrei Kostin

Sea Rhapsody ka qenë gjithashtu në lëvizje. Mendohet se është i lidhur me oligarkun rus, Andrei Kostin, President i Bankës Shtetërore ruse VTB, sanksionuar nga autoritetet e SHBA-së, BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar. Jahti me një kinema dhe një palestër, u largua nga Fethiye, Turqi më 18 shkurt, duke u nisur për në Oman, përpara se të mbërrinte në Seychelles më 3 mars, ku ka qëndruar që atëherë.
"Clio" - Oleg Deripaska

Clio është superjahti i lidhur me Oleg Deripaska, një biznesmen me lidhje të ngushta me Presidentin Putin, i cili është sanksionuar nga Britania e Madhe dhe SHBA-ja. Clio, aktualisht ndodhet në ishujt Maldive.
Shumë superjahte që mendohet se janë në zotërim të oligarkëve rusë, momentalisht ndodhen në ishujt Maldive. I tillë është superjahti Ocean Victory i oligarkut Viktor Rashnikov dhe Nord në zotërim nga Alexei Mordashov.
Jahte të tjera që ende lundrojnë
Madame Gu - i lidhur me Andrey Skoch është sanksionuar nga BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar - ndodhet në Dubai. Maldivet, Seychelles dhe Dubai nuk kanë një marrëveshje me SHBA-në, Britaninë e Madhe apo BE-në që do t'i lejonte autoritetet të konfiskonin këto jahte.

Gjithsesi, ato mund të mos jenë në gjendje të qëndrojnë në ujëra të sigurta për një kohë të gjatë, pasi do të kenë nevojë për mirëmbajtje, duke u detyruar të ankorojnë në porte evropiane. Gjithashtu, shumë kompani mund të ndalojnë ofrimin e pjesëve dhe mirëmbajtjes për shkak të sanksioneve.
Nga nëntë superjahte të lidhura me rusët e sanksionuar, vetëm një është ankoruar në ujërat evropiane. Tango - i lidhur me Viktor Vekselberg - është ankoruar në brigjet e Palma në Spanjë. Vekselberg është nën sanksione nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe, por jo nga BE-ja.
"Graceful" - Vladimir Putin

Një superjaht i lidhur me presidentin rus, Vladimir Putin, lundroi në ujërat ruse përpara se të fillonte pushtimi i Ukrainës. Më pas, Graceful u zhvendos nga Gjermania në brigjet e Kaliningradit, Rusi, në mes të shkurtit. Por Lloyd's List thotë se të dhënat e lëvizjes janë të kufizuara, pasi jahti ka fikur pajisjen e saj gjurmuese për disa javë.
Sipas Konventës së OKB-së për Sigurinë e Jetës në Det (SOLAS), anijet duhet të kenë gjurmuesit e tyre të ndezur gjatë gjithë kohës. Disa jahte të tjerë të lidhur me rusët, kanë fikur herë pas here të dhënat e tyre të gjurmimit gjatë muajit të fundit.
Zyrtarët amerikanë po shqyrtojnë pronësinë e një jahti të dytë, Scheherazade, i cili aktualisht është ankoruar në qytetin italian të Marina di Carrara. Mbështetësit e liderit të opozitës ruse, Alexander Navalny, e kanë lidhur pronësinë e anijes 140-milionëshe me presidentin Putin.
Cilat jahte janë sekuestruar?
Në këtë kohë të vitit, shumë superjahte do të niseshin drejt destinacioneve të njohura evropiane, si Port Hercule në Monako ose Marina Grande në ishullin italian të Capri-t. "Midis dhjetorit dhe prillit është sezoni i Karaibeve, dhe më pas jahtet zhvendosen në Evropë për sezonin mesdhetar, i cili normalisht do të zgjasë nga maji deri në shtator", thotë Chris Jefferies nga Superyacht World Magazine.
Disa jahte në zotërim të oligarkëve rusë të sanksionuar, janë sekuestruar nga autoritetet në Francë, Itali dhe Spanjë:
1. Sailing Yacht A u kap në Trieste, Itali (në zotërim të Andrei Melnichenko)
2. Lena u kap në San Remo, Itali (në zotërim të Gennadiy Timchenko)
3. Lady M kapur në Imperia, Itali (në zotërim të Alexei Mordashov)
4. Amore Vero u kap në La Ciotat, Francë (në zotërim të Igor Sechin)
5. Valerie u kap pranë Barcelonës, Spanjë (në zotërim të Sergei Chemenov)
6. Crescent e sekuestruar në Tarragona të Spanjës
7. Lady Anastasia e kapur në Port Adriano, Spanjë (në zotërim të Alexander Mikheev)
8. Axioma e kapur në Gjibraltar (në zotërim të Dmitrievich Pumpyansky)
Ka ende konfuzion në lidhje me statusin e një prej superjahteve më të mëdhenj në botë, Dilbar - i lidhur me biznesmenin rus të sanksionuar, Alisher Usmanov. Ishte raportuar se jahti u sekuestrua, teksa ishte ankoruar në Hamburg, por autoritetet lokale kanë thënë se në fakt ndodhej aty për disa riparime.

Po jahtet e pasanksionuara?
Lloyds List shqyrtoi më shumë se 40 superjahte të cilat i lidhën me rusët e pasur. Shumë prej tyre nuk janë sanksionuar dhe disa prej tyre ndodhen ende në Mesdhe. Megjithatë, këto jahte nuk po priten mirë në shumë porte. Anëtarët e ekuipazheve janë shmangur nga Monako, pasi disa kontraktorë refuzojnë të kryejnë shërbime për mirëmbajtjen e jahteve, për shkak të frikës se mund t'u konfiskohen pagesat nga BE-ja. (A2 Televizion)