Miliona përdorues votuan që të dorëhiqet nga drejtimi i Twitter, reagon Elon Musk

Nga A2 CNN
20 Dhjetor 2022, 13:25 | Bota

Elon Musk ka thyer më në fund heshtjen pas një sondazhi që ai vetë hapi në Twitter. Musk pyeti nëse duhej të largohej nga pozicioni si drejtues i platformës sociale dhe shumica e përgjigjeve ishin “po”.

Pronari i Tesla-s u shpreh se vetëm abonuesit e Twitter Blue do të mund të kenë të drejtë vote në sondazhet që kanë të bëjnë me politikat e platformës. Reagimi vjen pasi miliona përdorues të Twitter-it votuan që ai të tërhiqej nga pozicioni i tij si shef ekzekutiv i platformës.  

Të dielën, Musk deklaroi se ai do t’i bindej rezultatit të sondazhit me anë të të cilit pyeste përdoruesit nëse duhej të tërhiqej.

Elon Musk e theu heshtjen pak para mesnate, të hënën, kur iu duk interesant sugjerimi i të dënuarit për mashtrim Kim Dotcom, themeluesi i uebsajtit dikur të popullarizuar për ndarjen e skedarëve Megaupload, se rezultatet e sondazhit u manipuluan nga llogari të rreme.

Duke iu përgjigjur sugjerimit të një përdoruesi tjetër se “abonentët blu” duhet të jenë të vetmit që mund të votojnë në sondazhet e lidhura me politikat e platformës, Musk u shpreh se “Twitter do ta aplikojë këtë ndryshim.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos