
Pak orë pas situatës së tensionuar në të cilën u gjend pas daljes nga mbledhja e Kryesisë, ku militantë të Lulzim Bashës tentuan të godasin atë, Saimir Korreshin dhe Dashnor Sulën, ka reaguar ashpër kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.
Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, Bardhi shprehet se “dhuna verbale, presioni dhe shantazhi kundër deputetëve të PD-së që mendojnë ndryshe nuk janë mjete politike”.
Duke dënuar dhunën ndaj tij dhe deputetëve demokratë, Bardhi shprehet se sjellja e mbrëmjes së djeshme i ngjan asaj të një grupi paramilitar dhe kërkon nga kolegët e tij të shprehen kundër saj.
“Kjo sjellje prej grupimi paramilitar hedh në erë bashkëjetesën brenda kësaj force politike dhe dërrmon në mënyrë përfundimtare besimin e qytetarëve te PD-ja.
Duke dënuar me forcë aktet e dhunës kundër deputetëve të PD-së, anëtarëve të Kryesisë dhe gazetarëve, i kërkoj secilit koleg të distancohet publikisht prej tyre. Përmes dhunës, presionit dhe shantazhit nuk ndërtohet asgjë afatgjatë, në interes të demokratëve dhe të Shqipërisë”, shprehet Bardhi. (A2 Televizion)