Ministri britanik: Brexit paralizohet nëse rrëzohet ujdia e May

Nga A2 CNN
12 Janar 2019, 09:47 | Bota
Ministri britanik: Brexit paralizohet nëse rrëzohet ujdia e May

Brexit mund të mos ndodhë. Paralajmërimi bëhet nga ministri i Jashtëm Britanik, Jeremy Hunt, i cili thekson se ky do të ishte një skenar i mundshëm nëse marrëveshja e kryeministres Theresa May do të rrëzohet gjatë votimit në Parlament. Sipas tij ka një mundësi reale që plani i largimit të vendit nga BE të paralizohet.

“Mendoj se po bëhet shumë e qartë që parlamenti do të përpiqet të përjashtojë mundësinë e largimit pa ujdi dhe kjo është ajo për çfarë ka votuar populli britanik në atë referendum. E marta është një moment shumë i rëndësishëm. Sepse ne nuk mund të supozojmë më, që me refuzimin e kësaj marrëveshje do të ketë një Brexit më të mirë. Ka shumë mundësi që me refuzimin e kësaj ujdie, ne të hasemi me rrezikun e ‘paralizimit të Brexit’ dhe kur të ndodhë, askush se di se çfarë mund të pasojë. Ajo çfarë shqetëson më shumë qytetarët është nëse ne nuk do të përmbushim atë për çfarë kanë votuar”, tha Jeremy Hunt, ministër i Jashtëm i Britanisë së Madhe.

Tashmë data për votimin e marrëveshjes është vendosur dhe populli britanik do të mësojë fatin e largimit nga BE me 15 janar. Gjatë këtyre ditëve, May u përball me deputetët në kuvend dhe i kërkoi atyre mbështetjen e ujdisë me Brukselin. Kryeministrja tha se do të marrë siguri të tjera nga BE, lidhur me kufirin me Irlandën e Veriut, për të shuar shqetësimet e ligjvënësve.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos