Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi serish se do të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme për të mundësuar financimin e murit ndarës me Meksikën, pa miratimin e kongresit.
“Nëse nuk arrijmë një marrëveshje, do të ishte shumë e çuditshme që unë të mos shpallja gjendjen e jashtëzakonshme, kam të gjithë të drejtën për ta bërë”, deklaroi presidenti.
Komentet i bëri gjatë një vizite në pikën kufitare të McAllen në luginën e Rio Grandes në Teksas.

Por një lëvizje e tillë, me shumë gjasë do të përballej me sfida ligjore e do të nxiste reagime të ashpra, për faktin se Trump do të uzurponte pushtetin e kongresit.
Një prej mbështetësve të tij, senatori republikan Lindsey Graham, i kërkoi presidentit ta shpallte gjendjen e jashtëzakonshme. “Nuk kam qenë kurrë më i dëshpëruar për të vazhduar përpara se sa tani. Nuk shoh ndonjë rrugëdalje’, tha Graham.

Shtëpia e Bardhë mohoi raportimet se po tenton të devijojë fondet e përcaktuara për projekte rikonstruktimi. Grindja politike për financimin e murit e ka lënë pjesërisht të mbyllur qeverinë amerikane për 20 ditë, dukë lënë 800 mijë punonjës federal pa paga.
Trump refuzon të firmosë legjislacionin për financimin dhe rihapjen e qeverisë nëse aty nuk përfshihen edhe 5.7 miliardë dollarët e nevojshëm për ngritjen e barrierës prej çeliku në kufi. (A2 Televizion)