Qindra fluturime u anuluan në Gjermani, si pasoje e grevës së punonjësve të sigurisë në aeroportet e Dyseldorfit, Këlnit dhe Shtutgartit. Më herët anulime e vonesa pati edhe në aeroportet e Berlinit.
Greva e stafit të sigurisë në aeroportet e Dyseldorfit, Këlnit dhe Shtutgartit la në tokë më shumë se 640 fluturime në Gjermani ditën e enjte.
Autoritet aeroportuale njoftuan se nga 1054 fluturime të planifikuara, 643 u anuluan. Sipas tyre shumica e pasagjerëve, që janë mesatarisht 115 mijë në ditë, do të preken nga vonesat në pikat e kontrollit të sigurisë.

Sindikata e sektorit publik Verdi tha se po negocionte në emër të 23 mijë punonjësve të sigurisë në Gjermani, të cilët kërkojnë rritje të pagave.
“Ne duam standardizimin dhe rritjen e pagave në shkallë të gjerë. Gjëja tjetër është se kushtet e punës duhet të përmirësohen në mënyrë urgjente”, deklaroi Andrea Becker, zëdhënëse e sindikatës Verdi.
Kaosi në aeroporte ka nxitur pakënaqësi mes qytetarëve, të cilët megjithatë e mbështesin kauzën e grevës.
“Këta njerëz bëjnë mirë që kërkojnë të drejtat e tyre. Na vjen keq që jemi ne personat e prekur, megjithatë pasi të kemi mbërritur në destinacion, gjerat do të jenë në rregull”, thotë një nga pasagjerët.
Të hënën grevat e zhvilluara në aeroportet e Berlinit, shkaktuan vonesa dhe anulime të fluturimeve. (A2 Televizion)