Ministrja Krifca në Romë: Bujqësia në Shqipëri në rritje të qëndrueshme, synojmë 1 miliard euro eksporte

Nga A2 CNN
22 Maj 2023, 19:49 | Aktualitet
Ministrja Krifca në Romë: Bujqësia në Shqipëri në

“Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Italisë sot është në maksimumin që ka qenë ndonjëherë, teksa synojmë të ardhmen me produkte të përbashkëta dhe etiketa të përbashkëta: “Made in Albania” dhe “Made in Italy”.

Kështu u shpreh ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca, e cila me ftesë të Ministrit Italian të Bujqësisë, Francesco Llobrigida, mori pjesë në Asamblenë e Koalicionit të Tregjeve të Vogla për Fermerët, që po zhvillohet në Romë. Ministrja vuri në dukje se “Italia është është partneri më i rëndësishëm tregtar i Shqipërisë, me një vëllim shkëmbimesh mbi 4 miliardë euro në vitin 2022, ku mbi 10% e volumit tregtar i përket mallrave bujqësore”.

Krifca tha se, vitet e fundit, ne kemi qenë dëshmitarë të një rritjeje të jashtëzakonshme të partneriteteve midis kompanive tona dhe ndërmarrjeve italiane që operojnë në industrinë ushqimore.

Ministrja u ndal në përparësinë e agjendës së bashkëpunimit me Italinë, për më shumë sipërmarrje të përbashkëta që kombinojnë avantazhet krahasuese nga të dy brigjet e Adriatikut.

“Ajo që shoh në të ardhmen është bashkëpunimi dhe markat gjithnjë e më shumë të përbashkëta. Shoh produkte të përbashkëta dhe pse jo, etiketa të përbashkëta: “Made in Albania” dhe “Made in Italy”, tha Krifca.

Ministrja vuri në dukje se bashkëpunimi me Italinë nis në ndërtimin e një zinxhiri vlerash që fillon me të korrat dhe përfundon me përsosmërinë e produkteve italo-shqiptare që mund të jenë konkurruese përtej kufijve tanë.

Sipas saj, vlera e shtuar e këtij bashkëpunimi duhet të qëndrojë pikërisht në kombinimin e avantazheve të dy vendeve dhe promovimin të produkteve finale.

“Një dekadë më parë, eksportet tona arrinin mesatarisht një 100 milionë euro. Vitin e kaluar kemi eksportuar me sukses mbi 500 milionë euro produkte bujqësore.

Rritja e jashtëzakonshme e ekonomisë shqiptare në përgjithësi dhe e sektorit bujqësor në veçanti i detyrohet shumë faktorëve të tilla si skema e subvencionimit nga buxheti i shtetit si dhe programi IPARD i financuar nga qeveria shqiptare dhe nga Bashkimi Europian, që fuqizon drejtpërdrejt fermerët dhe eksportuesit e suksesshëm.

Ne kemi lehtësuar gjithashtu procesin e mekanizimit duke eliminuar të gjitha taksat për shumicën e makinerive të importuara dhe mjetet e transportit”, tha Krifca, teksa deklaroi se “për të arritur objektivin tonë prej 1 Miliardë Euro eksporte Brenda vitit 2030, ne nuk mund të anashkalojmë asnjë mundësi për t'u rritur dhe për të bashkëpunuar”.

Pjesëmarrja e ministres Krifca në Asamblenë Ndërkombëtare të Tregjeve të Fermerëve ka ardhur si ftesë e Ministrit Italian të Bujqësisë, Francesco Llobrigida. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos