
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, foli në A2 për dëmtimin dhe restaurimin e kolonave të Nimfeut, por edhe për vjedhjen e antikave.
“Dëmtimi i dy kolonave ka ndodhur gjatë periudhës së izolimit. Në 13 prill është zbuluar dhe është ndjekur e gjithë procedura. Çështja ka shkuar në prokurori. Nuk kemi pasur humbje të elementeve që ndodheshin në vendngjarje. Tashmë që ne flasim ka mbaruar i gjithë procesi i ringritjes së kolonave”, u shpreh Margariti.
Më tej, ministrja foli për vjedhjen e antikave, duke theksuar se ato nuk janë marrë nga muzeu.
“Objektet nuk janë grabitur në Apoloni. Nga dokumentimi që kemi bërë me anë të ekspertëve nuk na bën të mendojmë që janë pjesë e ndonjë gërmimi të paligjshëm apo aq më tepër të jenë vjedhur në fondet tona në muze”, u shpreh ministrja, e cila shtoi se ky është një fenomen që ka ndodhur dhe nuk është një shtim i grabitjeve gjatë kohëve të fundit. (A2 Televizion)