
Vetëm nëntë futbollistë që luajnë jashtë Shqipërisë dhe 14 lojtarë të klubeve shqiptare. Trajneri Edy Reja shpalli listën me 23 futbollistët e grumbulluar për miqësoren me Arabinë Saudite.
Duke qenë një ndeshje që luhet jashtë datave zyrtare të UEFA-s, tekniku do ta shfrytëzojë përballjen në Abu Dhabi që të testojë lojtarët e kampionatit.
Thuajse gjysma e skuadrës përbëhet nga futbollistë të Partizanit, Tiranës dhe Vllaznisë, teksa janë edhe Janku nga Bylis e Turkaj nga Laçi. Një përjashtim është edhe portieri durrsak Arlis Shala, i cili aktivizohet te Drenica në kampionatin e Kosovës.
Pjesë e listës është edhe mbrojtësi Mario Mitaj, 19-vjeçari që gjatë verës u transferua për 3 milionë euro nga AEK te Lokomotiva e Moskës. Në skuadrën kuqezi janë kthyer edhe emra si Odise Roshi dhe Bekim Balaj, që kanë munguar në sfidat e fundit.
Balaj, ashtu si edhe Cikalleshi do të përbëjnë repartin ofensiv përkrah lojtarëve si Skuka e Xhixha. Grumbullimi i Kombëtares nis më 22 tetor në Durrës, me ekipin që në datën 24 udhëton drejt Abu Dhabit për të zhvilluar përgatitjet e fundit përpara miqësores së parë në histori me Arabinë Saudite. Ndeshja do të luhet më 26 tetor, në 16:30 me orën shqiptare. (A2 Televizion)