Në Korçën e serenatave, festa ishte shtrirë ngado. Këtë fund korriku ky qytet me kalldrëmin, pedonalen, lulishtet e katedralen na premtonte vetëm muzikë. Programi i festivalit MIK bashkohej me festën e vetë qytetit që dashamirës të ftonte ta jetoje jetën sikurse duhet të jetë rikthimi pas sulmeve të një armiku, qoftë ky edhe armiku i padukshëm.
Festën dhe turmat e njerëzve që shijonin muzikë nuk i gjeje vetëm te katedralja, ku jehonte muzika greke, por edhe në pazarin karakteristik të qytetit. Nga muzika e fqinjëve tek ajo kubanë, dukej se me kapërcimin e një pedonaleje vizitorët ndërronin ritmin.
Energjikë, ashtu sikurse edhe muzika e tyre, disa balerinë kubanë ftonin turistët, qytetarët por edhe kalimtarët e rastit t’i bashkoheshin kërcimit. Nuk kishte rëndësi kostumi apo profesioni në këtë atmosferë. MIK Festival ishte aty si jehona që bënte thirrje për jetën. Për të harruar sa humbëm e për t’iu rikthyer jetës me buzëqeshje nga pazari i Korçës të ofrohej muzika dhe vallëzimi.
Nata e parë e MIK festival në Korçë do të jehonte edhe me muzikën klasike. Tre artistë të shkëlqyer të cilët ndajnë përvojën e tyre të interpretimit me operan e Berlinit pushtuan me melodi gjithë teatrin “Andon Zako Çajupi”.

Magdalena Heinz ishte më e vogla e koncertit që sillte muzikën gjermane në teatrin e Korçës. Më e reja, por me një përvojë të madhe në skenat europiane si dhe me Operan e Berlinit ku ajo performon aktualisht. Polakja Heinz është vlerësuar me disa çmime në konkurset e muzikës klasike dhe MIK Festival vjen si një nga miqtë e Operas së Berlinit.
“Muzika për ne është e gjithë jeta dhe ne e duam këtë që bëjmë. Ishte shumë e vështirë për ne, besoj për të gjithë artistët që interpretojnë, pasi çdo teatër ishte i mbyllur dhe ne nuk mund ta shpërndanim magjinë e muzikës apo ndjesitë që kishim. Është shumë e rëndësishme për ne që të shprehemi, qoftë edhe përmes muzikës, por kur shihnim se si koronavirusi merrte jetë njerëzish donim vetëm ti riktheheshim jetës normale. Të interpretoj tani është edhe si një homazh për ato që kanë ndodhur. Megjithatë, do të doja të interpretoja më shumë për jetën, për t’ju rikthyer asaj me buzëqeshje pasi ne pa ia dalim”, tregon ajo për A2.
Violina tjetër që jehoi në teatrin Çajupi ishte në magjinë e Andre Robles Field. Anëtar i pesë violinave të para të Deutsche Opera e Berlinit, e nisi karrierën e tij muzikore që 5 vjeç në Kostarika ku ka vendlindjen, nën kujdesin e gjyshit të tij, maestros Walter Field, por pasioni i madh për muzikën e ka bërë të shëtisë në të gjithë botën, këtë herë edhe në Korçë.

“Është një ndjesi e jashtëzakonshme që të luajmë përsëri për njerëzit, sepse për këtë është muzika. Është për të përcjellë histori, ndjesi, të mira e kujtime që na bëjnë të vuajmë, apo mungesën e një personi të dashur. Por e rëndësishme është të ndjejmë se jetojmë e të vazhdojmë përpara. Ne po e bëjmë përmes muzikës, ky është koncerti i parë pas shumë kohësh, që po luajmë sërish bashkë. Me sa di edhe për publikun e këtij teatri ky koncert ishte po ashtu një rikthim te muzika klasike që aq shumë i kishte munguar”.
Ata të dy i ka bërë bashkë Elda Laro, një emër i njohur në skenën shqiptare, si shkodrania që shoqëron artistë të mëdhenj në skenë, me lojën e saj në piano.
“Ishim duke interpretuar në Berlin, bashkë me pianisten Elda Laro. Një ditë e zakonshme pune aty ku jetojmë. Në dhjetor ishim duke krijuar diçka së bashku, po interpretonim dhe regjistrimin tonë pianistja Elda Laro që është shqiptare, e dërgoi te organizatorët e mik festival. Dhe ja ku jemi”, shton Field.
Elda Laro, një nga pianistet më të mira shqiptare, dirigjente gjithashtu, një muzikante ambasadore e shkëlqyer e Shqipërisë në botë, ajo i bëri bashkë ata të dy të interpretonin në MIk Festival.
Ditën e dytë e dytë të festivalit, ashtu sikurse edhe miqtë e muzikës ne do të rrugëtojmë me tingujt. Mëngjesi na gjen në një fshat ku koha ka ndalur dhe modernizmi nuk e tremb traditën, në Rehovë.
Ardita Bufaj nuk e mbyll interpretimin e saj në MIK festival me interpretimin në Rehovë, ajo do të prezantojë në Hanin e Pazarit një album tërësisht të veçantë. Do të na kthejë pas në kohë me muzikën e filmave për fëmijë. (A2 Televizion)