Rindërtimi i Qendrës Rehabilituese për Fëmijët, Manastirliu: Po përgatisim metodat më të mira të trajtimit të tyre

Nga A2 CNN
31 Korrik 2021, 12:28 | Aktualitet
Rindërtimi i Qendrës Rehabilituese për Fëmijët,

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka inspektuar sot punimet për rindërtimin e Qendrës Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese për Fëmijët, në Kombinat, e cila u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-ës. Sipas saj qendra do të jetë gati brenda vitit.

“Brenda vitit përfundojmë rehabilitimin e kësaj qendre dhe e vendosim në funksion, pasi edhe pajisjet janë planifikuar në buxhetin e këtij viti. Do ta kthejmë në një hapësirë të dedikuar për shërbimet me shtretër, por edhe shërbimet ambulatore për fëmijët 0-18 vjeç me aftësi ndryshe”.

Ajo njoftoi se po përgatiten metodat më të mira bashkëkohore për trajtimin e fëmijëve me problematika të shëndetit mendor dhe fizik.

“Kjo qendër unike në Shqipëri ofron shërbim me shtretër dhe ambulator për fëmijët 0-18 vjeç me aftësi ndryshe. Ne po përgatitemi me metodat më të mira të trajtimit të fëmijëve qoftë ambulatorë apo të shtruar. Kërkon edhe shërbime suplementare. Kërkohet edhe mundësia që në territor të kemi qendra të tilla. Fokusi është mbështetja për fëmijët problematika të shëndetit mendor dhe fizik dhe për t’u qëndruar fëmijëve dhe prindërve pranë për ta parë si shërbim i integruar”.

Sipas Manastirliut një tjetër fokus i qeverisë është integrimi i shërbimeve shëndetësore me shërbimet sociale për fëmijët me aftësi të veçanta. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos