Miratimi i “5 qershorit”, opozita e bashkuar: Të gatshëm të dialogojmë pa cenuar marrëveshjen

Nga A2 CNN
23 Korrik 2020, 18:01 | Politikë
Miratimi i “5 qershorit”, opozita e bashkuar: Të gatshëm

Pas miratimit në parlament me 99 vota të marrëveshjes së “5 qershorit” ka reaguar edhe opozita e bashkuar, e cila thekson se është e gatshme të vijojë dialogun me mazhorancën, por pa e cenuar marrëveshjen e arritur tashmë mes palëve.

Miratimi i sotëm i Marrëveshjes së 5 Qershorit pa ndryshime dhe pa ndryshime kushtetuese të njëanshme që e minojnë atë, si dhe vijimi i dialogut politik mes palëve, është rruga e vetme për të ruajtur konsensusin e arritur, që është mbajtur shënim nga partnerët dhe shton shanset për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Ky është qëllimi i Opozitës së Bashkuar, që nga 14 Janari, ku jemi angazhuar në mirëbesim në Këshillin Politik. Ky duhet të jetë qëllimi i përbashkët i të gjitha partive politike në Shqipëri, si e vetmja mënyrë për garantimin e një klime normale politike para zgjedhjeve, dhe për ecjen përpara të Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Opozita e Bashkuar shpreh mirënjohjen ndaj SHBA - BE dhe Vendet Anëtare - Britania e Madhe -  OSBE për ndihmën dhe mbështetjen e çmuar për arritjen e një Reforme Zgjedhore konsensuale, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Opozita e Bashkuar është e gatshme të vijojë dialogun në mirëbesim dhe me seriozitet, për çdo çështje tjetër, pa cenuar rezultatet e Marrëveshjes së 5 Qershorit. Heqja dorë nga aktet e njëanshme që minojnë konsensusin e arritur pas 6 muajve përpjekje, dhe angazhimi i të gjitha partive politike për të arritur konsensus për çdo çështje që lidhet me zgjedhjet, i shërben Shqipërisë dhe të ardhmes së saj europiane. (A2 Televizion)

Deklarata e opozitës së bashkuar

A2 CNN Livestream

Latest Videos