Kryeministri Edi Rama u shpreh në Kuvend se Partia Socialiste nuk ka asnjë problem me sistemin apo koalicionet, pasi, sipas tij, kjo parti është shumicë solide.
“Ne jemi shumicë solide, shumicë në popull dhe nuk kemi asnjë problem me sistemin dhe koalicionet. Sot, unë jam me mendje i bindur që do ta votojmë Marrëveshjen e 5 Qershorit jo sepse më pëlqen mua, përkundrazi. Unë kam problem të madh me të, mosdepolitizimin e administratës zgjedhore. Sot po votoj për Lulzim Bashën, për ata që mungojnë në Parlament”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se partinë e tij nuk e detyron dot njeri, për faktin se në 30 vite ajo kurrë nuk ka lënduar interesin kombëtar.
“PD-së mund t’i gjejmë momente në këto 30 vite që kanë lënduar interesin kombëtar. PS-në mund ta diskutosh për shumë gjëra, mund ta kryqëzosh për momente të caktuara kur nuk ka qenë në lartësinë e duhur, por nuk i thua dot me fakte se ka pasur raste që ka mbajtur qëndrime që lëndojnë interesin kombëtar. E them këtë për të nënvizuar se neve nuk na detyron njeri”, deklaroi Rama.
Më tej, Rama këmbënguli se për hapjen e listave vendos vetëm Parlamenti: “Këshillin Politik nuk e krijuan ndërkombëtarët, por vullneti i Partisë Socialiste, duke parë që PD-ja nuk arrin dot të komunikojë në shqip. Lulzim Bashës i kam thënë në 2017 që mes partive shqiptare të mos komunikojmë më anglisht se u bëmë turpi i botës. Kur vjen puna për hapje apo jo listash, këtë e vendosim ne dhe nuk kemi problem t’ua themi partnerëve tanë ndërkombëtarë. Ky Kuvend hap listat në 30 korrik dhe kjo është marrëveshja e bërë këtu, me opozitën që na ka rokanisur kokën që ditën e parë. Është në nderin tonë që e kemi dëgjuar opozitën parlamentare, edhe pse me vështirësi”. (A2 Televizion)