
Kosova është në hapin e fundit drejt pranimit në Këshillin e Europës. Këtë e bëri të ditur vetë ministrja e jashtme, Donika Gërvalla, që konfirmoi se Komiteti i Ministrave miratoi vendimin që aplikimi i Kosovës të kalojë për shqyrtim në Asamblenë Parlamentare.
Gërvalla sqaroi se Komiteti që përfaqëson 46 shtetet anëtare të KiE, mori këtë vendim në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave. “Flamuri i Republikës së Kosovës së shpejti do të valvitet me krenari në mesin e anëtarëve të Këshillit të Europës”, shkroi presidentja Vjosa Osmani, në reagimin e parë pas lajmit pozitiv. Një koment për këtë zhvillim pozitiv pati edhe kryeministri Albin Kurti, duke thënë se Kosova do të jetë një vlerë e shtuar për Këshillin e Europës.
Kurti: Shteti ynë do të jetë vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pasi Komiteti i Ministrave e procedoi aplikimin e Kosovës për në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Kurti ka shkruar në Facebook, se shteti ynë do të jetë vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës. “Shteti ynë do të jetë vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës. Këshilli i Evropës do t’i shtojë vlerë demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në shtetin tonë. Falënderoj ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ministren Gërvalla, zëvendësministrin Ahmeti dhe ekipet e tyre për punën e pandërprerë, si dhe partnerët tanë e shtetet anëtare, për përkrahjen e pakursyer”, ka shkruar Kurti.
Komiteti i Ministrave të shteteve anëtare, me mbi dy të tretat e votave të nevojshme, i dha sot mbështetje aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke përmbyllur kështu fazën e parë të anëtarësimit të plotë të Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.
Osmani: Votimi në Komitetin e Ministrave të KiE-së moment i rëndësishëm për Evropën
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se votimi i sotëm në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Europës për të përparuar aplikimin e Kosovës për Këshillin e Europës drejt Asamblesë Parlamentare, nuk është vetëm ditë e mirë për të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Kosovë, por edhe moment i rëndësishëm për gjithë kontinentin.
Osmani në një deklaratë të lëshuar për media, ka thënë se ky është një hap përpara për Kosovën dhe qytetarët e saj, jo vetëm sa i përket integrimit ndërkombëtar të vendit tonë, por mbi të gjitha për avancimin e pozitës së të drejtave të njeriut, për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim.
“Dëshiroj ta shpreh mirënjohjen time për aleatët tanë ndërkombëtar, presidencën islandeze të Këshillit të Europës dhe për të gjitha shtetet që na mbështetën me votën e tyre. Pres që shqyrtimi i aplikacionit tonë nga Asambleja Parlamentare të fillojë sa më parë dhe të përmbyllet me sukses. Ne jemi të përkushtuar për t'i përmbushur standardet më të larta të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit dhe kemi besim se aplikimi ynë do të vlerësohet në bazë të të arriturave tona në këto fusha. Aspiratat tona euroatlantike janë të qarta dhe vendosmëria e popullit të Kosovës është më e fortë se kurrë. Viteve të fundit, Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm, ndaj anëtarësimi jonë në Këshillin e Evropës është dëshmi e mëtejme e përkushtimit tonë të palëkundur ndaj vlerave që përfaqëson ky institucion”, ka thënë Osmani.
Sipas Osmanit, hapat e ardhshëm janë një mundësi për Evropën për ta shfaqur angazhimin e saj për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në çdo vend, në të gjithë kontinentin.
Komiteti i Ministrave miratoi aplikimin e Kosovës, Xhaçka: Një hap i parë i rëndësishëm drejt vendit në KiE
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka reaguar pas pranimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në KiE.
Vendimin e Komitetit të Ministrave, kryediplomatja shqiptare e cilëson si një hap të rëndësishëm drejt sigurimit të një vendi për Kosovën në KiE. "Lajme të mira nga Këshilli i Europës! Komiteti i Ministrave vendosi që të pranojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim dhe ia dërgoi Asamblesë Parlamentare për opinion. Një hap i parë i rëndësishëm për t’i dhënë Kosovës vendin e saj të merituar në Këshill", shkroi Xhaçka në Twitter.
(A2 Televizion)