
Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës do të ndajnë pushtetin në veriun e vendit, deri më tani të udhëhequr nga Lista Serbe. Në zgjedhjet e parakohshme, lokale të cilat u bojkotuan nga partitë politike serbe, e ku votuan vetëm 3.47 për qind e rreth 45 votuesve të regjistruar, Lëvizja Vetëvendosje fitoi garën për kryetarë të komunave në Mitrovicë të veriut dhe Leposaviq, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës fitoi Zveçanin dhe Zubin Potokun.
“Votat e pakta, më saktësisht 1567 të tilla u hodhën në 13 qendra votimesh të improvizuara në kontejnerë dhe gjashtë në qendrat e rregullta. Sipas rezultateve paraprake, Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje, fitoi në Leposaviq me 100 vota gjithsej, ndërsa kandidati tjetër i kësaj partie Erden Atiq, fitoi në Mitrovicën e veriut me 519 të tilla. Në Zubin Potok, u shpall fitues Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës me 196 vota, ndërsa në Zveçan, Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës fitoi me 114 vota. Kandidatja e pavarur në komunën e Zveçanit, Sllagjana Pantoviq, që ishte kandidatja e vetme serbe, fitoi pesë vota, apo 2.6 për qind.
Megjithatë, Lista Serbe e cila nuk mori pjesë në zgjedhje, në shenjë proteste për moskrijimin e asociacionit, tha se nuk do ta pranojë udhëheqjen e re në veri, dhe se nuk do të lejojë që serbët të udhëhiqen nga ata që fituan me 1 apo 2 për qind të votave.
“Është në dorën tonë që së bashku me vendin tonë, Serbinë, dhe me presidentin Aleksander Vuçiç ta vazhdojmë luftën për të ruajtur paqen dhe të drejtën e serbëve për të jetuar jetën e tyre”.
Nga dhjetë kandidatë për postet e kryetarëve, vetëm një ishte nga radhët e komunitetit serb, pasi Lista Serbe dhe parti të tjera më të vogla nga radhët e këtij komuniteti i bojkotuan zgjedhjet me kërkesën e Beogradit zyrtar. Votimi u zhvillua nën masa të rrepta sigurie dhe pa incidente. (A2 Televizion)