Zgjedhjet në veri të Kosovës, PDK shpall fitoren në Zubim Potok dhe Zveçan

Nga A2 CNN
23 Prill 2023, 21:04 | Kosova
Zgjedhjet në veri të Kosovës, PDK shpall fitoren në Zubim

Ka përfunduar pa incidente serioze procesi i votimit në katër komuna në veri të Kosovës këtë të diel. Ndërkohë, pak pas mbylljes së qendrave të votimit, Partia Demokratike e Kosovës ka shpallur fitoren në Zubim Potok dhe Zveçan, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje, ka shpallur fitoren në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq, sipas KosovaPress.

Pas përfundimit të procesit, Prokurori i Shtetit ka njoftuar se gjatë gjithë ditës ka mbikëqyrë procesin e jashtëzakonshëm zgjedhor në katër komunat e Republikës së Kosovës, për kryetar të Komunës në  Mitrovicën Veriore, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, ndërsa të parakohshme për dy kuvendet komunale në Zveçan dhe Leposaviq.

Sipas një njoftimi të Prokurorisë, pas përfundimit të procesit të votimit dhe mbylljes së vendvotimeve, nuk kanë të evidentuar asnjë rast nga veprat penale kundër të drejtave të votimit. “Prokurori i Shtetit do të vazhdoj të mbikëqyr procesin e numërimit të votave deri në përfundimin e këtij procesi”, thuhet në njoftim.

Një ditë më parë, presidenti serb, Vuçiç dhe Lista Serbe iu kërkuan qytetarëve serbë që të mos dalin në votime, teksa komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar se do t’i njohë zgjedhjet nëse përmbushin standardet.

Rezultatet paraprake nga KQZ

Sipas KQZ-së në Zubin Potok ka fituar Lëvizja Vetëvendosje me 52.1% ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 47%.

Ndërsa në Leposaviq ka fituar kandidati Lulzim Hetemi nga LVV me 73%, ndërsa PDK ka marrë 25%.

Në Zveçan ka fituar PDK me kandidatin Ilir Peci, me 60% ndërsa LVV ka marrë 37.4%.

Në Mitrovicën e Veriut ka fituar LVV me Erden Atiq me 66.5% ndërsa PDK ka marrë 37%.

Në Zubin Potok garuan Izmir Zeqiri nga PDK dhe Flatron Hasani nga LVV.

Në Mitrovicën e Veriut garuan për kryetar të Komunës, Betim Osmani nga Iniciativa qytetare Mitrovica; Taulant Kelmendi nga PDK dhe Erden Atiq nga LVV.

Në Leposaviq për kryetar të Komunës garuan Albulena Behluli Hetemi nga PDK dhe Lulzim Hetemi nga LVV.

Dhe në Zveçan për kryetar të komunës garuan Ilir Peci nga PDK dhe Sllagjana Pantoviq kandidate e Pavarur dhe Fetah Peci nga LVV.

***

Të parashikuara të mbaheshin më 18 dhjetor, pas tërheqjes së përfaqësuesve serbë nga institucionet, këto zgjedhje, falë ndërhyrjes dhe të komunitetit ndërkombëtar, u shtynë për në 23 prill.

Ndonëse shtyrja kishte si një qëllim për çtensionimin e situatës, duket se në terren nuk ka ndryshuar asgjë. Të gjitha subjektet serbe i kanë bojkotuar këto zgjedhje, përveç kandidates së pavarur Sllagjana Pantiq, e cila garoi në komunën e Zveçanit.

Në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës u hapën gjithsej 19 qendra të votimit, prej të cilave 13 në kontejnerë. Ishin 45 mijë e 118 votues me mundësinë ta ushtronin të drejtën e tyre të votës në këto qendra.

Liderët e Kosovë, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti bën thirrje mbrëmjen e kaluar që qytetarët të dalin në këto zgjedhje për t’u ndarë nga e shkuara dhe për të zgjedhur për të ardhmen e tyre.

Teksa nga Lista Serbe dhe Beogradi zyrtar kërkuan që zgjedhjet të bojkotohen masivisht, për t’i treguar komunitetit ndërkombëtar se kujt i përkasin këto zona.

Presidenti Vuçiç bëri dhe një deklaratë paksa të ashpër pak para zgjedhjeve, duke thënë se pas 23 prillit kjo zonë “do të pushtohet”, por pa e specifikuar nëse e kishte në mënyrë figurative apo të drejtpërdrejtë. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/04/23/zgjedhjet-ne-veriun-e-kosoves-vucic-pas-23-prillit-veriu-nen-pushtim-te-plote/
https://a2news.com/2023/04/23/veriu-i-kosoves-ne-zgjedhje-ne-gare-vetem-nje-kandidat-serb-i-pavarur/

A2 CNN Livestream

Latest Videos