Kurti: Bojkoti i zgjedhjeve në veri i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit

Nga A2 CNN
24 Prill 2023, 11:31 | Kosova
Kurti: Bojkoti i zgjedhjeve në veri i imponuar nga fushata

Pjesëmarrjen e ulët në zgjedhjet lokale të 23 prillit në veriun e Kosovës, kryeministri Albin Kurti ia atribuoi atmosferës së frikësimit dhe shantazhit. Në një reagim në rrjetin social Facebook, ai vlerësoi se votimi u zhvillua qetësisht dhe falënderoi autoritetet e qytetarët për mbështetjen dhe kurajon e treguar.

“Zgjedhjet për kryetar në katër komunat veriore të Kosovës dhe për kuvendet komunale në dy prej tyre, u zhvilluan qetë dhe pa incidente. Falënderoj KQZ-në për organizimin, policinë e Kosovës për sigurinë dhe qytetarët për mbështetjen. Atmosfera ishte ajo e frikësimit dhe shantazhit andaj edhe dalja e qytetarëve në zgjedhje ishte e ulët. Bojkoti ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri”.

Në zgjedhjet e 23 prillit nuk mori pjesë Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila bëri thirrje për bojkotimin e procesit zgjedhor. Prej vitit 2013 kur është formuar, Lista Serbe ka marrë mbi 90 për qind të votave nga komuniteti serb, në pothuajse të gjitha zgjedhjet e Kosovës. Por, vëzhgues ndërkombëtarë kanë konstatuar vazhdimisht se votuesve u është bërë presion nga kandidatët dhe aktivistët e kësaj partie.

Kurti premtoi mbështetjen e ekzekutivit për të kryetarët dhe pjesëtarët e asamblesë të zgjedhur të dielën.

“Ata duhet të punojnë me përkushtim dhe të shërbejnë pa dallim. Qeveria do t’i përkrahë e ndihmojë. Sistemi institucional dhe shërbimet publike do të mund të funksionojnë më shumë e më mirë”, u shpreh ai.

Kryetarët e rinj të katër komunave veriore kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë se sfida e parë me të cilën do të ballafaqohen do të jetë qasja në ndërtesat komunale. Kjo, pasi shumica e ndërtesave të komunave në veri, gjenden në objektet e njëjta me organet e përkohshme, që punojnë sipas sistemit serb. Ata kanë kërkuar që Qeveria e Kosovës t’iu ndihmojë në tejkalimin e sfidave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos