
Kina vijon pa u ndalur përpjekjen për të shtuar kontrollin ndaj Hong Kongut. Asambleja kombëtare e popullit, organi më i lartë legjislativ në vend, aprovoi gati me unanimit të plotë projektligjin kontrovers për sigurinë kombëtare që e kthen në krim, shkeljen e autoritet të Pekinit në territorin e Hong Kongut.
Projektligji ka nxitur shqetësime të thella mes aktivistëve pro demokracisë që pretendojnë se ai është një përpjekje për të shtypur protestat, për të shkelur lirinë e fjalës e për t’i dhënë fund statusit unik të Hong Kongut. Ai do të lejojë gjithashtu Kinën, të instalojë për herë të parë agjencitë e veta të sigurisë në rajon.
“Sesioni mori vendimin për ngritjen e një sistemi ligjor dhe mekanizmi zbatimi për sigurinë kombëtare të Hong Kongut. Ai do të përmirësoje politikën, një vend dy sisteme”. Deklaroi Li Zhanshu, kryetar i Komitetit të Asamblesë Popullore.
Lëvizja ka nxitur një valë të re protestash në territorin gjysmë autonom. Përleshje shpërthyen të mërkurën ndërsa parlamenti i Hong Kongut debatonte mbi një tjetër projektligj që do të bënte krim, mos repektimin e himnit kombëtar kinez. Qindra persona u arrestuan në protesta të zhvilluar kundër këtij projektligji dhe atij për sigurinë. Debatet e ethshme vijuan edhe përgjatë së enjtes, ndërsa debate në këshillin legjislativ vijon.
Situatën e ndërlikon edhe më shumë deklarata e sekretarit amerikan të shtetit Mike Pompeo, i cili tha se zhvillimet në Hong Kong nënkuptojnë se territori nuk mund të konsiderohej më autonom nga Kina, dhe rrjedhimisht Shtetet e Bashkuara nuk mund ta trajtonin atë ndryshe nga Pekini.
Deklarata mund të ketë impakt të rënde tek statusi tregtar i Hong Kongut, dhe me gjasë do të zemërojë Kinën. (A2 Televizion)