
Yuri Kim vijon turin e prezantimit te saj si ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Paradite e së premtes, Kim ishte në zyrën e kryeministrit Rama.
Kreu i qeverisë e ka konsideruar një koinçidencë të bukur takimin e së premtes me përfaqësuesen e lartë të ambasadës amerikane, Yuri Kim. Sipas tij, më pas në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u miratua paketa anti KÇK dhe ligji për masat pasurore ndaj krimit.
“Takimi i mirëseardhjes së ambasadores amerikane Yuri Kim me fokus në prioritetet e përbashkëta si dy vende aleate. Koinçidencë e bukur mbledhja e mëpastajme e qeverisë, ku kaluam paketën Anti-KÇK dhe Ligjin Special për masat pasurore ndaj krimit të organizuar”, shkruan Edi Rama në Twitter.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në postimin e saj në rrjetet sociale për këtë takim bën me dije se ambasadorja Kim pati mundësinë të përvijojë prioritetet e SHBA në Shqipëri për t’u bërë një aleate më e aftë në NATO dhe një bastion më i fortë sigurie. Ambasadorja Kim falenderoi Kryeministrin për përpjekjet e jashtëzakonshme të Shqipërisë në çuarjen përpara të prioriteteve të përbashkëta.
Që kur dorëzoi Letrat Kredenciale tek presidenti Meta, vëmendje kanë marrë takimet e saj me anëtarët e organeve të drejtësisë.
Mbrëmë, në pritjen zyrtare pa kamera, ambasadorja amerikane ritheksoi mesazhet e saj kryesore për qeverinë dhe opozitën, duke nisur me prioritetet e punës së saj. (A2 Televizion)