
Enkelejd Alibeaj i ka kthyer përgjigje kreut të PD-së së Rithemelimit, Sali Berisha, i cili deklaroi në konferencën e përjavshme me gazetarët, se është i gatshëm të diskutojë me këdo, “përveç dy personave.”
Teksa e cilëson “humbësi i zgjedhjeve të 14 majit”, Alibeaj thekson se e vetmja zgjidhje për të djathtët është që Berisha të largohet dhe t’u hapë rrugën alternativave të reja.
Kreu i “Rithemelimit”, pa përmendur emra foli për “dy persona me lidhje të tmerrshme krimi” me kreun e qeverisë, Edi Rama, por për Alibeajn, janë pikërisht figura si Sali Berisha që i “shërbejnë Ramës.”
Humbësi i zgjedhjeve të 14 majit ka vijuar dhe sot serinë e përsëritjes së justifikimeve bajate që nuk ia hanë më as kandidatët dhe as besnikët e tij. I zhytur në mjerimin e mungesës së shpresës dhe alternativës, Sali Berisha vijon serinë e shpalljes së armiqve me shpifjet e zakonshme dhe banalitetin konstant, për të gjjthë ata që mendojnë ndryshe nga ai. I dëshpëruar por i palodhur nga përpjekja për të përçarë PD, i rrënuar moralisht por i paepur në përpjekjen për të mbajtur peng një pjesë të demokratëve, me ligësinë e dikujt që koha dhe veprat ia kanë shkruar fundin e palavdishëm, ndaj Sali Berishës ka vetëm një zgjidhje: të largohet i braktisur dhe të heshtë duke marrë me vete edhe atë fije dinjiteti, nëse i ka mbetur. Kështu demokratët do të fitojnë mundësinë për të qenë alternativë e re për shqiptarët. Duke lënë pas të shkuarën dhe pa ngarkesat e korrupsionit familjar dhe të shpurës së tij, pesha e të cilave i shërbejnë veçse Ramës e të ngjashmëve të tij për ta mbajtur gjallë në politikë dhe që i kanë lënë demokratët në opozitë.
Enkeljed Alibeaj, Facebook
Më herët gjatë ditës së sotme, Berisha theksoi se PD-ja dhe ai vetë është i hapur ndaj çdo debati apo diskutimi për të gjetur gjuhën e përbashkët.
I pyetur nëse është gati të bëjë hapa pas për “të mirën e demokratëve”, kreu i “Rithemelimit” theksoi se hapa nuk bën as para pas, por se i fton deputetët dhe anëtarët e PD-së që të ulen dhe të diskutojnë për të mirën e partisë. (A2 Televizion)