Mjekët: Covid-19 nuk ka ikur, virusi po prek çdo moshë

Nga A2 CNN
29 Qershor 2020, 18:09 | Aktualitet
Mjekët: Covid-19 nuk ka ikur, virusi po prek çdo moshë

Në javën e katërt të epidemisë nga hapja e plotë e vendit, të prekurit dhe viktimat nga koronavirusi vetëm shtohen.

Edhe 64 persona janë konfirmuar pozitivë orët e fundit, ndërsa dy pacientë kanë ndërruar jetën nga komplikacionet që u shkaktoi Covid-19.

Epidemiologët thonë se situata është serioze. Në spitalin infektiv janë rritur shtrimet, aktualisht po trajtohen 84 paciente, 11 prej të cilëve në terapi intensive dhe 2 të intubuar. Shefja e shërbimit infektiv tregon se janë rritur rastet e rënda, ndërsa virusi nuk përzgjedh sipas moshës. “Kemi shtim të numrit të personave të shtruar dhe natyrisht kemi shtim të pacientëve që kërkojnë ndjekje në terapi intensive. Pikërisht, pajisjet me këto aparatura që i ofrohen pacientëve në terapi intensive janë një ndihmesë e madhe që ofrohet për shtimin e përkujdesit. Megjithatë, do thosha diçka që, çfarë ne ofrojmë në terapi intensive është maksimumi jonë nga ana profesionale, por popullata duhet të jetë shumë e ndërgjegjshme që liria e një personi shkon deri aty sa nuk cenohet shëndeti i tjetrit. Ju siguroj që virusi tani ka filluar të përzgjedhë çdo grup moshe dhe duke agravuar situatën shëndetësore të tyre. Ndaj thirrja e vetme që mbetet është: Ne jemi në shërbimin tuaj! Kemi shumë muaj që jemi vetëm në shërbimin tuaj, por kini parasysh që edhe ju keni detyrimin për të ruajtur distancimin fizik dhe e dyta mbajeni maskën kudo që jeni sepse janë të vetmet arma që kemi për t’u mbrojtur nga ky lloj virusi”.

Ministria e Shëndetësisë ka shtuar pajisjet mjekësore, veçanërisht për terapinë intensive ndaj Covid-19. Ministrja Ogerta Manastirliu u bëri thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë masat. “Secili duhet të udhëheqë përmes shembullit. Ne të parët dhe çdo qytetar. Çdo qytetar ka të drejtat e tij, por edhe detyrimin përkashi shëndetit të tij dhe njerëzve që e rrethojnë. Mbajtja e maskës, distancimi fizik dhe higjiena vetjake janë të vetmet armë që kemi për ta kufizuar virusin. Secili me shembullin personal, të tregohemi të kujdesshëm dhe të kemi përgjigjen e duhur edhe në këtë fazë të dytë të rihapjes”.

Për të përballuar fluksin e shtrimeve, po mendohet hapja e ish-kirurgjisë në QSUT, i kthyer në spital  Covid-3, po ashtu do të vihet sërish në funksion terapia intensive në Sanatorium, në rast se ka nevojë për trajtim të specializuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos