
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka publikuar në rrjetet sociale imazhet e grupit të mjekëve dhe infermierëve nga Shqipëria që janë nisur nga aeroporti i Rinasit drejt Italisë për të ndihmuar ekipin mjekësor vendas për përballimin e situatës së krijuar nga koronavirusi.
30 mjekë dhe infermierë nga Shqipëria janë përcjellë nga kryeministri Rama dhe ministrja Manastirliu në misionin e tyre humanitar në vendin fqinj, i cili është goditur rëndë nga pandemia.
“Rrugë të mbarë ekipit të mjekëve dhe infermierëve tanë që sapo u nisën drejt Italisë mike për të ofruar kontributin në këto ditë të vështira”, shkruan ministrja Manastirliu në Facebook.
Ekipi mjekësor shqiptar do të vendoset në një spital në veri të Italisë për trajtimin e pacientëve me COVID-19.
Ministria e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë fjalës së saj i siguroi mjekët e rinj se do të kishte kujdesje për familjet e tyre gjatë kohës që do të mungonin.
“Janë mjek e infermierë të rinj, janë specializantë të rinj duan të jenë modeli që kërkohet nga mjekët, janë modeli i heronjve të heshtur në luftë me këtë armik të heshtur. Janë nga e gjithë Shqipëria. Do të doja askush të mos binte pre e këtij armiku dhe për sa kohë që ju nuk do jeni këtu kujdsesemi ne për familjet tuaja”- tha Manastirliu gjatë përcjelljes së mjekëve dhe infermierëve drejt Italisë. (A2 Televizion)