
Mjekja Marsela Ceno ka konfirmuar se nuk përjashtohen rastet e riinfektimit në Gjermani, apo ata që janë infektuar pas vaksinimit. E ftuar në “Dita jonë” në një lidhje me Skype, Ceno theksoi se ka ndodhur që një person të jetë prekur nga dy variante të virusit.
“Rastet e riinfektimeve nuk përjashtohen, ka raste riinfektimi, dhe teoritë janë të ndryshme, mund të ketë ndodhur që një person të jetë prekur nga dy variante të virusit, por nuk përjashtohen këto raste dhe as ata që janë infektuar edhe pas vaksinimit”.
Sipas saj, nuk përjashtohen edhe skeptikët në lidhje me kryerjen e vaksinimit edhe në radhët e mjekëve, ndërsa shton se deri më tani në Gjermani kanë marrë dozën e parë 4 milionë e 500 mijë persona.
“Janë vaksinuar 4 milionë e 500 mijë persona që kanë marrë një dozë, procesi po ecën më shpejtësi të ulët. Zgjatja e bllokimit ka rritur sensibilitetin dhe padurimin e njerëzve për t’iu kthyer jetës normale. Skeptikët ekzistojnë edhe në radhët e mjekëve, 1 në 3 mjekë është skeptik”.
Duke folur në lidhje me situatën pandemike, ajo tha se aktualisht Gjermania është në nivelin 55 për 100 mijë banorë, për 7 ditë, ndërkohë që qeveria ka vendosur që kur të arrijë në nivelin 35, i rikthehen jetës normale.
“Aktualisht, jemi në nivelin 55 për 100 mijë banorë për 7 ditë , po qeveria ka vendosur që kur të arrijmë në 35 për 100 mijë banorë për 7 ditë do të arrijmë t’i kthehemi jetës normale. Testet e shpejta do ta bënin më të sigurt hapjen”.
Mjekja thekson se përdorimi i vitaminave që rrisin përgjigjen imunitare si D C dhe Zink do ishte mirë që të vazhdojnë të merren. (A2 Televizion)