Kontribut sa 2% e PBB në NATO, Shqipëria planifikon ta përmbushë jo më herët se viti 2024

Nga A2 CNN
18 Shkurt 2021, 18:18 | Aktualitet
Kontribut sa 2% e PBB në NATO, Shqipëria planifikon ta

Ministrat e Mbrojtjes së 30 vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), përfshirë edhe Shqipërinë zhvilluan një takim virtual të mërkurën me sekretarin Jens Stoltenberg dhe drejtues të tjerë të aleancës ku i pranishëm ishe edhe Sekretari i ri i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara.

“Shpenzoni më shumë”, ishte mesazhi kryesor i ministrit të ri të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara i cili për herë të parë pas ardhjes në krye të Shtëpisë së Bardhë së administratës Biden mori pjesë në samitin e NATO-s.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjithashtu kërkoi nga vendet anëtare të rrisnin shpenzimet për mbrojtjen. “Administrata të ndryshme të Shteteve të Bashkuara së bashku me Republikanët dhe Demokratët kanë përcjellë të gjithë të njëjtin mesazh se ne kemi nevojë për ndarje të drejtë të barrës në këtë Aleancë. Unë u them evropianëve dhe ata bien dakord që ne duhet të investojmë më shumë në mbrojtje për të mos kënaqur Shtetet e Bashkuara por për sigurinë tonë”, tha Stoltenberg.

Sipas të dhënave nga faqja zyrtare e NATO, vetëm 9 nga 30 vendet anëtare kanë plotësuar kushtin e të shpenzuarit 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, ndërsa pjesa tjetër ka mbetur ende në fazën e premtimit.

Shqipëria gjithashtu është zotuar të shpenzojnë 2 për qind të PBB-së për mbrojtjen, madje në një intervistë për median gjermane NTV më 28 prill 2018, kryeministri Rama pohoi se ajo ishte përmbushur tashmë.

“Ne tashmë shpenzojmë dy për qind të prodhimit tonë të brendshëm bruto në NATO”. Kështu tha Rama për median gjermane NTV pas takimit të tij të fundit me kancelaren Merkel.

Në fakt, Shqipëria jep rreth 1,25 për qind të prodhimit të përgjithshëm bruto për mbrojtjen. Ajo renditet e 27-a për sa i përket kontributit në NATO duke lënë pas Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Sipas një deklarate të ministres së Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj më 13 nëntor 2019, realizimi i angazhimi për të kontribuar me 2 për qind në NATO planifikohet të arrihet në vitin 2024. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos