
Dy javë para zgjedhjeve të 14 majit, Edi Rama i ka veshur sërish godinës së Partisë Socialistë portretin e tij të shoqëruar me sloganin e fushatës elektorale “Kurrë më mbrapa, vetëm përpara.”
Përveçse analizës së brendshme, pas mbledhjes së Kryesisë, retorika politike e kryesocialistit ndaj kundërshtarëve nuk kishte asnjë ndryshim.
Ai nuk shfaqi asnjë shenjë tërheqjeje për deklaratat ku i bënte thirrje qytetarëve që të mos dalin në votime nëse nuk zgjedhin PS-në.
“Unë ju kam dhënë një këshillë që ku do shkoni më 14 maj. Kemi thirrje të përsëritura të aleatit tonë të SHBA-së që të kenë shumë kujdes në këtë pikë, se pavarësisht se zgjedhja është e shqiptarëve, por edhe cilësia e marrëdhënia me Shqipërinë është në dorën e aleatëve tanë.”
Një tjetër qëndrim kontrovers për të cilin u pyet ishte ai ndaj shkodranëve, të cilëve pak ditë më parë u prezantoi një projekt zhvillimor, realizimi i të cilit dukej se kushtëzohej me ardhjen në pushtetin vendor të socialistëve.
“Nuk është presion, por një mënyrë e drejtpërdrejtë për t'ua thënë njerëzve që do të jetë i pamundur bashkëpunimi, jo se nuk duam ne, por këta kandidatë do t’i trajtojnë bashkitë si pengje lufte. Mund të mos kesh dëftesë, mund të ngresh gishtin e mesit, port t’i japësh fytyrën surretërve të shkuarës për të marrë peng të ardhmen e vendit, kjo është e papranueshme dhe e pavotueshme.”
Për t’u përballur me Berishën dhe Metën, Rama nuk mjaftohet vetëm me deklaratat politike, por u tregon atyre edhe “derën” e drejtësisë.
“Drejtësia vonon, por gjithmonë e më pak ka shanse të harrojë këta njerëz. Do të shikoni që drejtësia do të veprojë me patjetër më herët se sa vonë.”
Në mbledhjen e kryesisë, zhvilluar me dyer të mbyllura, socialistët kanë bërë një analizë të ecurisë së fushatës dhe performancën e kandidatëve të tyre, si dhe kanë diskutuar agjendën përmbyllëse të takimeve elektorale.
Në mbështetje të politikës së tyre, mazhoranca ka vendosur që deri më 14 maj të mbjellë 25 mijë pemë në të gjithë vendin. (A2 Televizion)