Arsimi i lartë është një nga sukseset më të mëdha të një shteti social. Ajo që dikur ka qenë privilegj i një pakice, është bërë tanimë një e drejtë dhe mundësi e gati të gjithëve.
Sabri Laçi, dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, shprehet: “Arsimi është çelësi i zhvillimit të një kombi. Nëse arsimi funksionin mirë dhe është cilësor, pritet që të ketë prosperitet, zhvillim, lulëzim në nivel kombëtar. Nëse arsimi degradon, pritet e kundërta”.
Por, tregu universitar në Shqipëri është liberalizuar aq shumë vitet e fundit, sa rreziku i produkteve jocilësore tashmë po “klith” me të madhe. Ermal Hasimja, ekspert i çështjeve arsimore, deklaron: “Po të shohësh edhe mesataret e studentëve, diplomat e studentëve vitet e fundit i ke rresht pesa në universitet. Dhe këta do të bëhen mësues”.
Sistemi i dijeve po i ngjan përherë e më shumë një pazari ku reklamohen me shkronja të mëdha “uljet e mëdha”, ku blerjet bëhen më shumë për hir të çmimit sesa të nevojës.
Modeli arsimor po i shmanget gjithnjë e më shumë nevojave të tregut të punës, teksa bizneset në sektorë të veçantë si bujqësia dhe turizmi po japin alarmin se mungesa e fuqisë së kualifikuar të punës po shndërrohet në një nga pengesat më serioze për zhvillimin e aktivitetit të tyre.
Fatbardh Sallaku, rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës, thekson: “Bëhet fjalë për profesione të cilat brezi i ri nuk i ka shumë me dëshirë, nuk konsiderohen profesione trendi dhe në fund të ditës janë profesione që konsiderohen si të vështira”.
Një sistem i prishur ka nevojë për riparime urgjente. Dhe qeveria ka nisur të veprojë... të paktën po përpiqet.
Pas dështimit të Fondit të Ekselencës që mbështeste financiarisht studentët shqiptarë për t’u arsimuar në 15 universitetet më të mira të botës, projekt i cili zbatohej prej 14 vitesh, Ministria e Arsimit vendosi në fillim të vitit që buxhetin e këtij fondi në vlerën e rreth 200 milionë lekëve në vit t’ua kalojë të rinjve më të mirë që zgjedhin të arsimohen në vendin e tyre.
Kryeministri Edi Rama, në 28 janar 2022, thonte: “Të rinjtë që kanë marrë diploma në universitetet më të njohura të botës duhet të kenë turp për faktin që kanë marrë një angazhim në vendin e tyre, kanë marrë para nga vendi i tyre e kanë marrë përsipër detyrimin të kthehen për një periudhë të caktuar e ta sjellin këtu një pjesë të asaj dije që kanë marrë në funksion të kësaj shoqërie, e ndërkohë kjo nuk ka ndodhur”.
Në listën e gjatë me 35 drejtime studimi, të vlerësuara si “prioritet kombëtar”, u përfshinë mësuesia, profilet e shkencave ekzakte si matematikë, fizikë e kimi si dhe degë që lidhen me bujqësinë, veterinarinë apo turizmin.

Sabri Laçi, dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, thotë: “Në fakultetin Histori-Filologji është përzgjedhur vetëm dega Gjuhë-Letërsi si prioritare. Me thënë të drejtën, jemi befasuar nga ky vendim, fjala vjen për të mos futur në këtë grup edhe Historinë. Dega që ka më shumë rënie të numrit të regjistrimeve në fakultetin tonë është historia. Jemi habitur gjithashtu se pse në listë nuk është arkeologjia apo trashëgimia kulturore”.
Nga iniciativa e degëve parësore përfitojnë maturantët me mesatare minimumi 8.5, që zgjedhin një nga programet prioritare; ata ekselentë përgjatë 3 viteve gjimnaz dhe mbi 9.5 në provimet e maturës dhe fituesit në 1 nga 3 vendet e para në olimpiada ndërkombëtare, me mbi 15 vende pjesëmarrëse, nëse zgjedhin programe që lidhen me fushën ku kanë marrë çmimin.

Përfituesit mbështeten me bursa në vlerën e pagës minimale, tashmë të ndryshuar në 34 mijë lekë si dhe zerim të tarifave të studimit në fakultete. Kushti është që të japin kontributin e tyre të paktën tre vjet duke punuar në profesionin që janë shkolluar. Nëse studentët nuk përmbushin detyrimet gjatë shkollimit apo ndërpresin studimet, atëherë ata janë të detyruara të kthejnë pas shumat financiare të marra 6 muaj nga njoftimi që do t’iu bëhet nga autoritetet.
Olti Rrubullaku, përfaqësues i Ministrisë e Arsimit, tregon: “Ka qenë një kërkesë e kahershme e disa universiteteve, sikundër ka qenë edhe një ecuri e regjistrimeve në disa degë të cilat normalisht kanë qenë më të ulta se sa priteshin. Kështu që, në situata të tilla, patjetër që nevojë për ndryshim të politikave".
Ndonëse ende herët, ecuria e procesit të aplikimeve dhe regjistrimeve këtë vit të ri akademik sinjalizon për pritshmëri jo fort të mëdha.
Elsa Skënderi Rakipllari, zëvendës-dekane e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, deklaron: “Ajo çfarë shihet është se nuk ka ndonjë ndryshim shumë të ndjeshëm. E vetmja degë ku shihet se ka një ndryshim sasior është sa i takon numrit të studentëve të regjistruar në përfundim të raundit të parë është Gjuhë-Letërsia që është edhe programi më i zgjedhur nga maturantët”.
Fatbardh Sallaku, rekotor i Universitetit Bujqësor të Tiranës, shprehet: “Të dhënat faktikisht, me përjashtim të Fakultetit të Inxhinierisë Pyjore ku ka një farë interesi më të madh, të dhënat fatkeqësisht nuk janë optimiste për sa i përket këtij faktori. Të rinjtë nuk kanë reaguar pozitivisht edhe pse ka pasur një mbështetje financiare të garantuar. Kuatat janë pothuajse të paezauruara”.
Dhe për këtë performancë jo të mirë, fajin, sipas Ministrisë së Arsimit, e kanë edhe universitetet në vend, që, sipas institucionit që harkon politikën arsimore, nuk kanë bashkëpunuar mjaftueshëm.
“Në ministri ka qenë një shqetësim kur ndryshoi politika, kur u shpall vendimi i Këshillit të Ministrave. Javët që pasuan kishte një angazhim vetë të ministrisë kryesisht për ta shpallur këtë politikë. Pavarësisht se universitetet u informuan, ishin shumë pasivë për ta treguar edhe ata këtë ndryshim dhe për t’i afruar studentë> universitetet, janë edhe ata në garë për të marrë studentë. Nga momenti që ti ke një degë që ka një mbështetje kaq të madhe me bursa dhe me heqje tarifash, patjetër që duhet të jesh edhe më aktiv për ta treguar këtë degë prioritare dhe për ta bërë atraktivë për studentët”, thotë Rrumbullaku.
Megjithatë, në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, situata paraqitet më optimiste. Rektorja e Universitetit të Durrësit, Kseanela Sotirofski, shprehet: “Universiteti i Durrësit ka tre programe të tilla. Njëri është programi i Navigacionit dhe Menaxhimit Detar, tjetri është programi i turizmit dhe mësuesia në Gjuhë dhe Letërsi. Janë tre programe që krahasimisht me vitin e kaluar kanë pasur rritje në aplikime dhe rritje në numrin e të regjistruarve".
Olti Rrubullaku, përfaqësuesi i Ministrisë e Arsimit nënvizon: “Kjo është një politikë që nuk ndryshon vetëm për 2022-shin. Kjo është një politikë që vlen për dekadën e ardhshme. Kështu që kjo do të kërkojë kohën e vetë dhe kandidatët për studentë të marrin gjithë informacionin e nevojshëm”.
Vetë të rinjtë, maturantë të sapodiplomuar, tregojnë më shumë mbi refuzimin për të përzgjedhur një nga 35 degët prioritare, që mund t’i shpërblenin me të holla të kënaqshme: “Nuk ka shumë interes pasi po e shohim që edhe mësuesit po dalin në protesta për rrogat e ulta. Nuk kemi shumë interes sepse duam degë që na ndihmojnë në të ardhmen.”
Shqipëria mund dhe duhet të bëjë shumë për nxitjen e edukimit cilësor edhe në kushtet aktuale të nënfinancimit publik, thonë përfaqësues nga kjo fushë. Për këtë duhet të fokusohemi te krijimi i një tregu dhe shoqërie dhe mbi të gjitha te një sistem që e vlerëson dijen.
Ermal Hasimja, ekspert i çështjeve arsimore, thekson: “Ne jetojmë në demokraci, në kushte ku njerëzit mund të zgjedhin. Në kushtet e tregut në fund të fundit dhe tregut të arsimit. Është oferta dhe kërkesa. Nuk ka rëndësi se ç farë ofron ti në universitete në qoftë se kjo nuk përputhet me atë se çfarë kërkojnë njerëzit. Është shumë e rëndësishme dhe kjo pjesa tjetër. Nga njëra anë shteti mund të ofrojë, mund të shpallë prioritete e strategji sa të dojë për zhvillimin e këtyre degëve, nga ana tjetër pastaj do shkojë e do punësojë njerëz për shkak të angazhimit të tyre në fushata elektorale... se i përkasin një partie apo një tjetre”.
Veç shpalljes së degëve prioritare, ky vit akademik nisi edhe me një tjetër ndryshim, të paktën në një drejtim, atë të profilit të mësuesisë.
Një maturant, për shembull, tashmë mund të aplikojë për të studiuar “Gjuhë Shqipe dhe Letërsi” me një mesatare deri në minimumi 6.5, nga 7.5 që është, por në ciklin e studimeve “Master” ai nuk mund të vazhdojë për mësuesi.

Për të garantuar zbatimin e këtij kushti, që në nisje të ciklit të studimeve, “Bachelor”, studentët do të pajisen me një numër të posaçëm matrikullimi.
Evis Kushi, Ministre e Arsimit dhe Sportit, në 26 maj 2022, tha: “Mësuesit duhet të jenë më të mirë. Kriteri për ata që duhet të bëhen mësues, është mesatarja 7,5. Jo të gjithë ata që vazhdojnë për Gjuhë të Huaja, duan të bëhen mësues, por të bëhen përkthyes. Ne i japim mundësi edhe maturantëve që mbarojnë me mesataren 6,5 që të hyjnë në këto programe, por do të kenë një numër matrikulimi që mos të vazhdojnë për mësuesi, por për programet e tjera”.
Edhe ky ndryshim, vjen si kushtëzim i disa faktorëve. Olti Rrumbullaku, përfaqësuesi i Ministrisë e Arsimit, deklaroi: "Ky është një ndryshim më i vogël i politikës për disa degë të mësuesisë i cili ka ardhur pas konsultimeve me universitetet për shqetësimet që ato kanë. Ky është një nga ato ndryshime, me i vogël se ato që folëm, për bursat po i nevojshëm në varësi edhe të kërkesave".
Por nëse flasim për revolucion, ai nuk vjen asnjëherë pa viktima. Elsa Skënderi Rakipllari, zëvendës-dekane e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, shprehet: "Përveç studimit që zgjat pesë vite, duhet kryer edhe stazhi, mandej është praktika e detyruar 3-mujore. Është një kalvar, shto këtu edhe provimin e licencimit. Ndaj kur zgjedhin degë të mësuesisë, gjithkush e mendon mirë këtë. Në gjykimin tonë nuk është kjo zgjidhja më e mirë që do të çonte maturantët te mësuesia pasi është një zgjidhje artificiale. Vërtetë dikush mund të ketë nevojë për atë stimulin financiar dhe ta konsiderojë si një mundësi, por një pjesë tjetër e madhe konsideron edhe të ardhuar që merr nga ky profesion”
Sabri Laçi, dekani i Fakultetit të Histrisë dhe Filologjisë, tha: "Besoj se e para gjë është motivimi. Motivimi për shanse për punësim dhe paga. Dikush që bëhet mësues dhe fillon punë, nëse bashkë me partnerin kur krijojnë familjen bëjnë hesapet dhe kur nuk u del llogaria preferojnë një degë tjetër që u sjell më shumë të ardhura dhe jo mësuesi".
"Tani ne jemi në një paradoks të tillë. Nëse rritet pragu i mesatares në mësuesi ne nuk do të kemi më studentë. Ata që duan sot të shkojnë, ose e thënë më mirë ata që pranojnë sot të shkojnë të bëhen mësues, përgjithësisht nuk e kanë nivelin", deklaroi Hasimja.
Ashtu si edhe me degët prioritare, edhe mësuesia në Durrës paraqitet në shifra më shpresëdhënëse.
Rektorja e Universitetit të Durrësit, Kseanela Sotirofski, nënvizon: "Nëse mund të themi që në programet e tjera kemi pasur një tkurrje shumë të lehtë, në fakultetin e edukimit, në programet e mësuesisë kemi pasur rritje si në aplikime ashtu edhe në regjistrime. Kemi rreth 20 për qind më tepër regjistrime në Fakultetin e Edukimit se krahasuar me një vit më parë".
Që nga 7 marsi i vitit 1887, kur u hap Mësonjëtorja e parë shqiptare, kanë kaluar 135 vite, sistemi arsimor në vend thuajse si kurrë më parë po vuan nga refuzimi i të rinjve për të shkuar te mësuesia.
Por, si mund të bëhet ajo më joshëse për të shmangur mungesën e arsimtarëve në të ardhmen e afërt?
Olti Rrubullaku, përfaqësuesi i Ministrisë e Arsimit, deklaron: “Ajo që ndodh me degët e mësuesisë është që janë degë të lidhura me vendin përkatës. Kështu që studentët që mendojnë për tregun global, nuk aplikojnë të mësuesia. Në këtë rast duhet të lëvizim shpejt në drejtim të rritjes së masave mbështetëse ndaj atyre që zgjedhin mësuesinë”
Ndërsa Elsa Skënderi Rakipllari, zëvendës-dekane e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, pohon: "Kështu që, zgjidhja afatgjatë është se patjetër ne kemi nevojë për mësues shumë të mirë. Sistemi ynë arsimor ka nevojë për mësues shumë të mirë, por zgjidhja afatgjatë është duke ndryshuar e duke investuar te statusi që ka mësues, te trajtimi financiar i tij, qoftë edhe te lehtësia për të depërtuar në tregun e punës".
Ermal Hasimja, ekspert i çështjeve arsimore, mendon se nuk kemi mësues: "Mësues nuk kemi. Statusi i mësuesit është dëmtuar. Mësuesi është i pambrojtur në raport me prindin dhe nxënës. Mësuesit i është bërë punë e pamundur".
Perspektiva e errët e një arsimi defektoz po shtrihet edhe në të tjera drejtime. Kriza demografike si pasojë e emigracionit endemik po reflektohet me ritme të shpejta te sistemi arsimor në vend.
Në vetëm 4 vite, numri i studentëve të regjistruar në arsimin e lartë është rrudhur me 15 mijë, duke paralajmëruar për një krizë të thellë ne vijim.

Nga rreth 25 mijë maturantë 4 vite më parë, numri i të sapodiplomuarve që aplikuan për të ndjekur studimet e larta pas mbylljes së procesit të përzgjedhjes së degëve në formularin A2 përllogaritet në rreth 21 mijë.

Ndërkohë, nga mbi 34 mijë të diplomuar në vitin akademik 2018-2019, numri ra në 32 mijë e 690 2020-2021.

Dhe kriza demografike në arsim po rrezikon seriozisht disa programe studimi në fakultete.
Klaudio Peqini, pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, shprehet: "Dhe kjo ka bërë që degët më të dobëta në treg, fizika, të tjera të preken të para. Po kjo është një kambanë alarmi që po ngrihet për të gjitha degët e tjera. Në fakt kujtoj 2-3 vitet e shkuara kur Fizikës filluan t’i ikin studentët, degët e tjera ishin ende mirë. Kemi vënë re tani që edhe degë të tjera si matematika po përballen me rënie të konsiderueshme të numrit të studentëve".
Ndërsa Rudina Osmanaj, pedagoge në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, deklaron: "Viti i dytë që kishim vjet, kishim 12 vetë së bashku e bashkë me përsëritësit shkonim diku te 20, por numrat janë shumë më të reduktuar nga çfarë kanë qenë dikur".
Po, a ia vlen sot të studiosh për fizikë? A përkthehet ky mund në punësim?
Tanja Porja, pedagoge në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, thekson: "Të fillojmë nga kjo e fundit, nuk ka treg pune. Sigurisht që nuk ka treg pune dhe është për të ardhur keq. Mua më vjen keq që studentët e mi, ka vite që ke studentë të shkëlqyer, të cilët gjejnë mënyra të ndryshme për të ikur jashtë, sepse tregu i punës për fizikantët në përgjithësi është shumë i varfër. Unë e kam dashur fizikë ndaj e kam zgjedhur. Në kohën kur unë kam studiuar numri i studentëve ishte ndjeshëm më i lartë".
Ndonëse shumë të pakta, edhe shembujt pozitivë nuk mungojnë. Mei Trushi, studente ekselente në vitin e tretë, është një prej tyre: "Dëshira për herë të parë lindi në klasën e tetë për shkak të një zyshë fizike që ka qenë shume e mirë në shkollën time. E më pas kur fillova gjimnazin e mendova si rrugë që do e vazhdoja. Ishte i vetmi pasion që pata deri në atë kohë dhe prandaj vendosa që të vij këtu".
“Arsim cilësor”. Është ky slogani që ka shoqëruar premtimet e qeverive në vite për edukimin e brezave të rinj në vend. Por, këto zotime nuk janë mbajtur dhe njëri shkak ka qenë mungesa e financimit. Ndonëse me ulje-ngritje, buxheti për arsimin që nuk i është afruar 5%-shit të Prodhimit të Brendshëm Bruto, premtuar në 2013-n. Vitet e fundit është ulur, dhe parashikimet për të ardhmen janë edhe më pesimiste.
Por, Olti Rrubullaku, përfaqësuesi i Ministrisë e Arsimit, thotë: "Nuk i kam letrat me vete, por mund të them se niveli i financimit të arsimit në vitet e fundit ka pësuar rritje".

Në këto kushte, pyetja që shtrohet është: A mund të kemi arsim cilësor në kushtet e nën-financimit publik?
Nga gati 391 milionë euro të parashikuara në fillimin të vitit, buxheti për arsimin u ul në 375 milionë në mars, ndërsa me rishikimin e fundit qeveria e rriti në 385 milionë euro. Duke përllogaritur buxhetin total me numrin e popullsisë, Shqipëria shpenzon mesatarisht 159 euro për çdo person, për të mundësuar edukimin. Kjo shifër është më pak se në Kosovë dhe 8 herë më e ulët se në vendet e Bashkimit Europian.

Sistemi i arsimit të lartë universitar në Shqipëri nuk është një ishull i largët e i izoluar nga parimet e përgjithshme të funksionimit të shoqërisë shqiptare. Mjafton t’i hedhësh një vështrim nivelit dhe kushteve të jetesës së vendit dhe mund kuptosh shumë mbi cilësinë e edukimit. Mësues dhe studiues të arsimit në vend e përshkruajnë modelin që ndjek Shqipëria si një kaos gati i organizuar me kopjime copa-copa dhe kurrikula që nuk mund të zbatohen e që nuk i vlejnë kushteve të zhvillimit të Shqipërisë. Thuajse njëzëri, ata që kanë ndjeshmëri për dijen dhe i shqetëson perspektiva e errët e një arsimi defektoz, thonë se vendi ka nevojë për një “Plani B” për të rinjtë, si alternativa e rrugës pa krye të “Planit A”. (A2 Televizion)