
Luciano Moggi i sugjeron Juventusit emërimin e Igli Tares në postin e drejtorit sportiv. Ish-drejtuesi i klubit bardhezi argumentoi përse shqiptari është njeriu ideal për t’i besuar ringritjen e skuadrës, pasi ai i ka dhënë provat te Lazio, duke u shpallur për disa vite edhe si më i miri në pozicionin e tij.
Milionat për merkato cilësore mungojnë dhe projekti duhet të nisë me të rinj të talentuar, që do të zhvillohen në skuadër për t’u bërë lojtarë të nivelit botëror. Ish-kapiteni i Kombëtares ka një rrjet mjaft cilësor për gjetjen e lojtarëve dhe punon shumë për të vënë në praktikë idetë e tij.
“Më duket absurde që Juventusi mendon të emërojë një person si Giuntoli. Ai është mësuar vetëm t’i bindet urdhrave të De Laurentis te Napoli dhe nuk vepron asnjëherë pa marrë miratimin e Presidentit, edhe pse ka një rrjet shumë të mirë për zbulimin e talenteve. Profili ideal për drejtorin sportiv te Juventusi do të ishte Igli Tare. Te Lazio tregoi se ka aftësi të marrë vendime dhe t’i imponojë klubit idetë e tij”, tha Moggi.
Pas konfliktit me UEFA-n, penalizimit me pikë në kampionat, largimit të drejtuesve dhe faktit që për të rregulluar financat i duhet të heqë dorë nga disa yje, Juventusi është në udhëkryq. Të gjithë presin me kureshtje të shohin nëse bardhezinjtë do të arrijnë të jenë konkurrues gjatë sezonit të ardhshëm. Misioni është i vështirë, por me një emër si Igli Tare, e ardhmja në terma afatmesëm duket e garantuar. (A2 Televizion)