
Një kundërshtari fort në letër. Një prej rivalëve më të vështirë që Partizanit mund të peshkonte në turin e parë kualifikues të Champions League. Trajneri Zoran Zekić analizoi rivalët dhe përcaktoi detyrat për ekipin e tij.
“Nuk është se kemi shumë zgjedhje, vetëm duhet të presim. Duhet të kemi eksperiencë dhe më shumë kohë. Do të luajmë 2 ndeshje në Champions League, kemi vetëm 20 ditë kohë për t’i përgatitur këto ndeshje. Tani do të fillojmë të mbledhim informacionin e nevojshëm për kundërshtarin. E dimë që është një skuadër e mirë, aktualisht janë në aktivitet, pasi po luajnë në kampionat. Duhet të jemi të zgjuar dhe të kemi disiplinë dhe punë. Të kemi mbështetjen e tifozerisë dhe të marrim energjinë e tyre për të bërë më të mirën e mundshme”, tha trajneri Zekić.
Kampionët e Shqipërisë kanë nisur përgatitjet në Pogradec me ekip të përgjysmuar. Përpos stërvitjes, ekipi duhet të jetë gati edhe psikologjikisht.
“Sigurisht që duhet të mendojmë për ndeshjen e parë. Por, do të luajmë dy të tilla. Duhet të jemi vigjilent dhe të kemi përqendrimin e duhur. Shpresoj të jemi në formën tonë më të mirë. Jemi duke pritur edhe lojtarët që janë të impenjuar me ekipet kombëtare. Unë shpresoj që ata të na bashkohen sa më shpejt këtu në fazën përgatitore në Pogradec”, shtoi Zekić.
Ndeshja e parë me BATE Borisov, Partizani e luan si ekip pritës në Elbasan Arena. (A2 Televizion)