
Grintë, entuziazëm, presing i lart dhe futboll i pëlqyeshëm për sytë. Në këtë mënyrë Sylvinho ka ndryshuar Shqipërinë. Nga një skuadër e përgjumur, me skemën 3-5-2 me Edy Reja-n, ku e kishim të vështirë të dilnim në sulm, Shqipëria është kthyer në një skuadër me lojë moderne.
Rreshtimi 4-2-3-1 i përshtatet lojtarëve dhe jo anasjelltas. Skema e lojës i jep mundësi mesfushorëve të ndihmojnë në fazën defensive, por mbi të gjitha të krijojnë lojë dhe të provojnë të godasin portën.
Më e rëndësishmja është se Sylvinho ka kthyer në element tejet të rëndësishëm, emra që në vitet e fundit e kishin të vështirë të shpalosnin kualitetin e vërtetë. Nga Ylber Ramadani si organizator para mbrojtjes, te Nedim Bajrami në rolin e dirigjentit të manovrave sulmuese.
Kjo mënyrë loje ndihmon edhe përfshirjen e një talenti si Kristjan Asllani në pozicionin e tij natyral dhe e bën më të thjesht punën për sulmuesit e krahut, nga Uzuni te Asani, për të vijuar me Seferin apo ingranimin e përhershëm të talentit Ernest Muçi.
Të gjithë këta lojtarë e kishin thuajse të pamundur jo vetëm që të luanin, por edhe të cilësoheshin si alternativa me Reja-n. Shqipëria e re ka gjetur dëshirën për të luajtur dhe ka ngritur peshë entuziazmin e tifozëve. Për më tepër, me idetë e Sylvinhos tani e kemi edhe më të lehtë të sulmojmë dhe të fitojmë përballë ekipeve të ashtuquajtura të vogla.
Hapi i radhës është konfirmimi me rivalët direkt të grupit. Nga përballjet e shtatorit, kur luajmë me Republikën Çeke në Pragë dhe më pas presim Poloninë në shtëpi. Kombëtarja bind me lojë dhe ëndërron pjesëmarrjen e dytë historike në Kampionatin Europian. (A2 Televizion)