
“Kurti ka pasur teorinë zero të fillimit të dialogut kur ka nisur mandatin e parë. Ai ka thënë se nuk do të dialogojë me Beogradin, por me serbët e Kosovës. Ai guxoi të thotë se nuk njeh as marrëveshjen e Uashingtonit. Në fakt u desh pak kohë që SHBA apo BE janë organizma seriozë dhe nuk mund të dalë asnjë lider në Ballkan apo kudo tjetër. As Putini që është në luftë nuk ka guxuar të bëjë deklarata të tilla injoruese ndaj SHBA dhe BE. Ai duhet të kishte kërkuar falje dhe të ishte më transparent me qytetarët e tij, duke marrë një pjesë të përgjegjësisë edhe vetë”.
Kështu u shpreh në Debat në A2 CNN diplomati Arben Çejku teksa komentoi arritjet e fundit në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.
Më tej, ai theksoi se Brukseli nuk është një tryeze për t’u marrë shembull për Kosovën dhe këtu u shpreh se ish-shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, dhe persona të tjerë mund ta kishin ndarë Kosovën.
“Gjithsesi, tryeza e Brukselit nuk është një tryezë për t’u marrë shembull për Kosovën. Tryeza e Brukselit është ajo që e mori Kosovën... Federica Mogherini e mori Kosovën si një tortë dhe i futi thikën bashkë me disa të tjerë për ta ndarë dhe e bënë gati ta ndanin copa-copa. Ishin disa faktorë të tjerë që e ndaluan ndarjen”, tha diplomati. (A2 Televizion)