Nuk është hera e parë që këngët shqiptare interpretohen në skena të huaja, por të këndohen në një sallë ku mblidhen parlamentarë, kjo nuk është e zakontë.
Kënga e njohur arbëreshe “Moj e bukura more” është interpretuar në një nga sallat parlamentare në Zvicër, si përshëndetje për shqiptaren që u zgjodh kryetare e parlamentit të Lucernit.
Ndonëse një këngë e huaj për të pranishmit, muzika që tanimë është shndërruar si një himn për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve, emocionoi jo vetëm Ylfete Fanajn, por edhe parlamentarët që e duartrokitën arbereshen ‘Moj e bukura more’.
Një element tjetër shqiptar në këtë eveniment ishte edhe dorëzimi i një pikture të artistit shqiptaro-zviceran Samedin Asllani që iu bë Fanajt me rastin e zgjedhjes së saj në këtë post të lartë.
Kjo nuk është hera e pare që një vajzë shqiptare ngjit shkallët e politikës në Europë, pasi vetëm një vit më pare, Arba Kokalari u zgjodh eurodeputete nga Suedia. (A2 Televizion)
