
SPAK ka finalizuar një tjetër hetim ne fushën e korrupsionit në sistemin gjyqësor. Kësaj radhe objekt hetimi ka qenë një gjyqtare dhe një avokat në Elbasan, të cilët akuzohen për korrupsion pasiv dhe aktiv. Në të njëjtën dosje janë nën hetim edhe 3 persona të tjerë familjarë të një të dënuari.
Nga hetimet e kryera janë ngritur dyshime se gjyqtarja e gjykatës së Elbasanit Zamira Vyshka dhe avokati Ilir Pashaj në tetor të viti të kaluar i kanë kërkuar lekë familjarëve të një personi të arrestuar për vjedhje me qëllim lehtësimin e dënimit penal.
Hetimet dhe përgjimet e kryera për këtë çështje kanë motivuar Gjykatën e Posaçme që të vendosë në mungesë masën e sigurisë arrest shtëpie për gjyqtaren Zamira Vyshka dhe masën arrest me burg për avokatin Ilir Pashaj.
Arrest me burg është vendosur edhe për dy familjarë të të dënuarit, ndërsa një i tretë është lënë arrest shtëpie. Masat e sigurisë janë ekzekutuar mëngjesin e kësaj të premte, ndërsa pritet që Këshilli i Lartë Gjyqësor të mblidhet për të vendosur pezullimin nga detyra të gjyqtares Vyshka deri në përfundimin e plotë te hetimeve të nisura ndaj saj. (A2 Televizion)