
Partitë politike në Holandë janë kundër vendimit të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Hagë për mosekstradimin e Arben Frrokut.
Sipas deputetëve të 4 forcave politike, i dënuari me burgim të përjetshëm për vrasjen e ish-kryekomisarit Dritan Lamaj nuk duhet të lirohet.
“Ne duhet të bëjmë çdo gjë që të sigurohemi se ky vrasës i dënuar të mos lirohet. Unë them ose jashtë vendit tonë ose pas hekurave”, Jeroen van Wijngaarden, anëtarë i VVD.
Edhe partia Kristiandemokrate shprehet kundër këtij vendimi. Sipas përfaqësuesve të saj, duhet një debat pasi për kriminelë të tillë, sipas saj, Holanda nuk mund të bëhet vend i arratisjes.
Përfaqësues të kësaj force politike shprehen se duhet dhe rikthimi i regjimit të vizave, kështu që kriminelët nuk mund të vijnë në Holandë dhe të përfitojnë në këtë mënyrë. Kreu i Partisë së Lirisë, Markuszower, nga ana tjetër, kërkon që Holanda të denoncojë vendimin e Hagës në mënyrë që Frroku të ekstradohet në Shqipëri.
Deputeti tjetër i Partisë Socialiste, Van Nispen, shprehet se nëse Frroku nuk mund të ekstradohet në Shqipëri, atëherë duhen gjetur mënyrat që ai të vuajë dënimin në Holandë. (A2 Televizion)