Moska paralajmëron Tiranën pas dëbimit të diplomatit: Provokim, që do t’i përgjigjemi

Nga A2 CNN
22 Janar 2021, 12:20 | Bota
Moska paralajmëron Tiranën pas dëbimit të diplomatit:

Ministria e Jashtme e Rusisë ka reaguar pas vendimit të Shqipërisë për dëbimin e diplomatit rus, Alexey Krivosheev, duke thënë se ky hap nuk do të mbetet pa përgjigje. Zëvendësministri i Jashtëm rus, Alexander Grushko, ka deklaruar se Rusia do t'i përgjigjet Shqipërisë për këtë vendim të marrë, duke e konsideruar këtë një provokim dhe dëmtim të marrëdhënieve dypalëshe.

"Na vjen keq shumë, pasi ky është padyshim një provokim që synon marrëdhëniet ruso-shqiptare. Sigurisht, ky hap jo miqësor nuk do të mbetet pa përgjigje", tha Grushko.

Të enjten, Shqipëria shpalli non grata një diplomat rus, duke e nxitur të largohej nga vendi brenda 72 orësh.

Ministria e jashtme e vendit tha se kishte kontaktuar ambasadorin rus në Tiranë, Mikhail Afanasyev, duke shprehur shqetësim në lidhje me shkeljet e vazhdueshme të masave për të luftuar COVID-19 nga diplomati i ambasadës ruse.

Në të njëjtën kohë, Tirana shprehu shpresën se ky vendim do të perceptohet nga Moska si një masë e detyrueshme për të mbrojtur shëndetin, dhe gjithashtu siguroi palën ruse për ndjenjat miqësore dhe gatishmërinë për përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve midis vendeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos